Stema 700-vjeçare e Skurajve si e shpëtoi konsulli Ippen.

Filed under: Arkeologji,Histori,Kryesore |

 

cache-210-166-strict-206687

Kur objektet e trashëgimisë bien në dorën e një njeriu të ditur, më pas kanë një fat të lumtur. I tillë ka qenë fati i skulpturës 700-vjeçare në basoreliev të stemës së Skurajve.

Objekti ra në dorë të studiuesit e diplomatit austro-hungarez Theodor Ippen (1861-1935), i cili zhvilloi një veprimtari të dendur në Shqipëri. Drejtuesit e Muzeut Kombëtar kanë prezantuar dje në faqen e tyre zyrtare këtë objekt me vlerë, bashkë me historinë e zbulimit të tij. “Në shek. XIV, kreu i familjes Skura ka qenë Anton Skura, i cili e simbolizoi pushtetin e tij me një stemë heraldike. Stema paraqet një luan, që qëndron mbi këmbët e pasme.

Në këndin e djathtë është një zambak. Nga emblema varen, gjithashtu dy litarë, të cilët përfundojnë me nga një zambak në fund. Mbi stemë ka një mbishkrim në latinisht, i cili për fat të keq, nuk është i plotë ngaqë është dëmtuar. Në të shkruhet: SEPU(LT)U(RA)/
ANTONIO SC/CUM ESE(D)ES SUO.”, ky është prezantimi i objektit nga MHK, ndërsa historia e zbulimit hedh dritë edhe në kontributin konsullit Ipenn në Shqipëri.

Në diçiturën shoqëruese të objektit që ruhet në MHK shkruhet një histori e panjohur: “Stema gjendej në një gur varri, i cili mban emrin e Anton Skurës. Guri i varrit është zbuluar në vitin 1907 nga konsulli austrohungarez në Shkodër, Theodor Ippen, në kalldrëmin para kishës së Zonjës Nunciatë, në Kodër-Marlekaj të Lezhës.

Ky gur ka qenë lapidari mbi varrin e Anton Sgurës. Pas shembjes së kishës guri u përdor si pllakë kalldrëmi. Ippen e hoqi nga kalldrëmi dhe e vendosi në murin e kishës”. Po kush ishte Theodor Ippen? Ai kishte studiuar në “Akademinë Orientale” dhe shërbeu për disa vjet në Konsullatën e Austro- Hungarisë në Shkodër, ku u caktua Konsull i Përgjithshëm më 1900. Më pas shërbeu në Londër, ku edhe ishte pjesëtar i Konferencës së Ambasadorëve.

Ipen është autor i disa monografive mbi historinë e hershme dhe etnografinë e Shqipërisë së Veriut, me fokus të veçantë tek periudha e Mesjetës. Më 1912, Ippen skicoi një hartë etnografike të trevave shqiptare nën Perandorinë Otomane. Këtë hartë e përdori më vonë delegacioni austro-hungarez në Konferencën e Ambasadorëve lidhur me vendimin për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Falë saktësisë që i karakterizon, shumë nga veprat e tij historike, etnogra fike dhe arkeologjike, e ruajnë rëndësinë e tyre edhe sot e kësaj dite. Ndërsa familja Skura, stema e së cilës është gdhendur në këtë objekt tashmë muzeal, ishte njëra prej familjeve më të shquara të fisnikërisë së Arbërit nga fundi i shekullit të XII deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIV, me origjinë nga fshati me të njëjtin emër në krahinën e Kurbinit.

Skurajt kishin një vend të rëndësishëm në hierarkinë e Arbërisë përgjatë periudhës bizantine. Në dokumentet mesjetare latine, bizantine dhe sllave, mbiemri dokumentohet në disa trajta gjuhësore shkrimore si: Scura, Schura, Schuro, Sguro, Scuro, Sgouros, Zgura etj. Studi uesit pohojnë se “emërtimi Skura ka prejardhjen toponimike nga treva e Shqipërisë së Mesme që fillimisht dokumentohet i lokalizuar tek Marin Barleti si Skuria, krahinë midis Tiranës dhe Durrësit”.

Në këtë hapësirë gjeografike sot mbijeton në trajtë emërtimi fshati Skuraj në rrethin e Kurbinit. Dëshmi me rëndësi për familjen Skura është gjetja e stemës heraldike të kësaj familje, në të cilën del emri i fisnikut Anton Skura. Kjo stemë, falë konsullit austro-hungarez të Shkodrës në vitet ‘900, Theodor Ippen, gjendet në gjendje të mirëmbajtur dhe ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

206688

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>