Toleranca fetare në Vilajetin e Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912)

Filed under: Arkeologji,Histori,Kryesore |


nga Nuridin Ahmeti

Instituti Albanologjik – Prishtinë

 

Është mendim i përbashkët i studiuesve vendas e të huaj, se epiqendra e kryengritjeve shqiptare të viteve 1908-1912 ishte në Vilajetin e Kosovës. Si prijës të këtyre kryengritjeve dallohen disa figura udhëheqëse si; Idriz Seferi, Isa Boletini etj., të cilët ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë kishin prijësit fetarë të kohës, si bie fjala Idriz Seferi, kishte sekretar personal të tij hoxhën e njohur nga rrethina e Gjilanit Mulla Halimin, kurse me disa prijës islam bashkëpunoi ngushtë duke i angazhuar drejtpërsëdrejti edhe në luftime kundër xhonturqve si: Mulla Sinan Maxheren nga rrethina e Preshevës dhe Mulla Idrizin nga Gjilani, hoxhallarë të cilët kishin një bashkëpunim të qëndrueshëm edhe me priftërinjtë shqiptarë të asaj ane Dom Mikel Tarabulusin, Dom Tadej Ivanaj etj., me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të Lëvizjes Kombëtare dhe qëllimeve të tyre. Karakteristikë në këtë periudhë kohore në Vilajetin e Kosovës është se shënohen edhe disa fërkime ndërfetare si në Prizren dhe Gjakovë, p.sh. në ditët e caktuara islame koka e derrit të therur hidhet në xhamia, me qëllim të futjes së përçarjes ndërmjet popullatës myslimane dhe katolike, e gjithë kjo evitohet në mënyrën më të mirë nga prijësit fetarë të kohës.

Më këtë vështrim mëtojmë që përmes dokumenteve dhe literaturës relevante të vëmë në pah rolin e tolerancës ndërfetare në njërën anë dhe kontributin e prijëseve fetare në Lëvizjen Kombëtare në Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1908-1912.

Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë. Të kemi dashuri edhe për bashkatdhetarët e krishterë, sepse edhe ata i kemi vëllezër e s’kemi si ndahemi. Të përpiqemi edhe për të mirën e tyre si për veten tonë… të ndjekim një rrugë të përbashkët… t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bijë të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri.”

(Haxhi Vehbi ef. Dibra).[1]

 

Hyrje

Tematika e tolerancës fetare në shoqërinë shqiptare është një ndër problematikat e trajtuara mjaft në historiografinë shqiptare, veçanërisht pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ky fenomen te shqiptarët, nga shumica e studiuesve tanë u vlerësua në superlativ, si: “ shembull për rajonin”, “pasuri e kultivuar” etj., por ka edhe të atillë që kanë pasur rezerva, por shpesh ky trajtim është nisur nga premisa iluministe dhe në funksion të komb-formimit, respektivisht të ndërtimit të unitetit shqiptar.

Shikuar në aspektin terminologjik, gjejmë emërtime e epitete të ndryshme nga studiuesit, si: “Tolerancë ndërfetare”, “ Mirëkuptim ndërfetar”, “ Harmoni ndërfetare”, “Bashkëjetesë”, etj.

Ndërkaq ne jemi ndalur vetëm në një periudhë të kufizuar kohore, në periudhën më dinamike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vitet 1908-1912, dhe në një hapësirë të kufizuar territoriale, në Vilajetin e Kosovës. Kemi mendimin se ky fenomen në këtë hapësirë është trajtuar pak, e që për vitet që po flasim kishte rëndësinë e vet, për disa arsye:

E para – Vilajeti i Kosovës nga historiografia shqiptare konsiderohet si qendër e kryengritjeve në vitet 1908-1909. Në këtë kuadër, përbërja fetare luante rol mjaft domethënës në mbarëvajtjen e kësaj kryengritjeje dhe në mobilizimin e masave në luftën kundër xhonturqve.

E dyta – Vënia në pah e shembujve që do t’i potencojmë më poshtë, janë një dëshmi me interes për panoramën e tolerancës ndërfetare te shqiptarët, para më shumë së njëqind vitesh, në Vilajetin e Kosovës.

E treta – Ngjarjet që ndodhën me karakter fetar në Prizren dhe Gjakovë gjatë viteve 1908-1909 kishin shqetësuar jo vetëm konsujt e huaj në Prizren, sidomos ata austro-hungarez, por edhe administratën vendore dhe autoritetet e Prizrenit.

Personaliteti i Mulla Sherif Efendiut në mbarëvajtjen e mirëkuptimit ndërfetar në Prizren 

Në vitin 1908, pas krijimit të rrethanave të reja politike te shqiptarët, ardhja e xhonturqve në pushtet, mospërmbushja e premtimeve ndaj shqiptarëve, zhgënjimi i shqiptarëve të cilët kishin dhënë kontribut për t’i sjellë ata në pushtet, krijuan mosbesim te popullata vendase dhe rivalitet midis shqiptarëve dhe xhonturqve, që kulmoi më pas edhe me kryengritje të përgjithshme.

Viti 1908 në Vilajetin e Kosovës, përveç të tjerash, po shënonte edhe disa fërkime ndërfetare që, padyshim, do të shkaktonin shqetësime jo vetëm te popullata vendase, por edhe te konsujt e huaj që në atë kohë ishin të vendosur në qendrat e ndryshme të Vilajeteve osmane me popullatë kryesisht shqiptare, posaçërisht te konsujt austro-hungarez që këto ngjarje i përcillnin me vëmendje, pasi Vjena angazhohej për ruajtjen e stabilitetit dhe status quo-së në Ballkan, ndërsa serbët dhe rusët, të cilët në Kosovë kishin përfaqësitë e tyre, synonin të destabilizonin situatën përmes provokacioneve të ndryshme. Në këtë linjë, serbët dhe rusët përpiqeshin të shfrytëzonin dallimet fetare në mesin e shqiptarëve, duke synuar që një konflikt të tillë ndërfetar ta shfrytëzonin për të krijuar terrenin e depërtimit të tyre drejt Kosovës.

Në rrethinën e Gjakovës, në vitin 1907 rrëmbehet një prift katolik(Luigj Paliqi N. A.)[2], më pas në fshatin Smolicë të Gjakovës kokat e derrave të therur hidhen në xhami ditën e Festës së Bajramit dhe me gjakun e derrave spërkaten muret e xhamisë. Sipas konsullit austro-hungarez në Prizren, Oskar Prohaska, masat nga popullata myslimane ndaj katolikëve ishin pothuajse të menjëhershme duke bojkotuar popullatën katolike, konkretisht dyqanet disa herë[3] për disa muaj.

Pothuaj me skenar të njëjtë sikurse në Gjakovë edhe në Prizren, në vitin 1908 në Festën e Bajramit në disa xhami hidhen kokat e derrave të therur dhe muret e xhamisë lyhen me gjak, fenomen ky i provokimit të popullatës myslimane në Kosovë në ditë të veçanta feste, që ka zgjatur, pothuajse pa ndalur, deri në luftën e fundit në Kosovë në vitin 1999, kur pjesa më e madhe popullatës së Kosovës nga forcat policore serbe janë nxjerrë jashtë kufijve pikërisht ditën e Festës së Bajramit.[4]

Kjo ngjarje do të rezultojë edhe me bojkotimin nga popullata myslimane të dyqaneve dhe mallrave të popullatës katolike në Prizren, dhe sipas konsullit austro-hungarez në Prizren, Prohaska, i cili e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme austro-hungareze, veprimet e myslimanëve kishin shkuar deri në atë masë sa popullata myslimane ndaloi popullatën katolike edhe në punimin e tokës, në periudhën mars-korrik 1908.[5]

Duke e vërejtur këtë tensionim të situatës ndërmjet popullatës myslimane dhe katolike në Prizren dhe nga shqetësimi se ky problem do të marrë përmasa më të mëdha, myftiu i Prizrenit, deputeti i Parlamentit Osman, njeri me autoritet i kësaj ane, mulla Sherif Efendiu, më 13 korrik të vitit 1908 organizon në shtëpinë e tij në Prizren, kuvendin e krerëve fetarë shqiptarë myslimanë, ku vendoset, që nga ajo ditë, të ndërpritej bojkoti ndaj shqiptarëve katolikë.[6] Kjo marrëveshje u arrit falë kontributit dhe largpamësisë që treguan veçanërisht, mulla Sherif Efendiu, si përfaqësues i popullatës myslimane në atë kuvend.[7]

Mbi rolin e ulemave të Prizrenit rreth raporteve me popullatën katolike në këtë qytet dhe për disa incidente njofton edhe administrata e kohës në Prizren.[8]

Mulla Sherif Efendiu, si autoritet i kohës, duke analizuar gjendjen e krijuar dhe duke bashkëpunuar me krerët e fiseve të besimeve përkatëse, arrin që ta evitojë më të keqen.

Konflikte të tilla lënë dyshime të përfshirjes së konsullatës serbe dhe bandave të tyre në këtë ngjarje. Në lidhje me këtë, në një telegram të vitit 1908 të Konsullit austro-hungarez në Mitrovicë, potencohet propaganda e fuqishme që qarqet serbe dhe bandat e tyre propagandonin ndaj Austro-Hungarisë në Vilajetin e Kosovës dhe ishin shumë aktive, me qëllim të dështimit të misionit të tyre në Vilajetin e Kosovës.[9]

Duke pasur parasysh se Austro-Hungaria në atë kohë kishte marrëveshje për mbrojtjen e popullatës katolike në gjithë hapësirën e Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër propaganda e fuqishme serbe kundër Austro-Hungarisë, siç duket kishte gjetur mjetin e përshtatshëm, futjen e konflikteve ndërfetare te shqiptarët me qëllim të realizimit të planeve të veta ekspansioniste, fatmirësisht nuk u arrit falë angazhimit dhe vetëdijes së prijësve fetarë e veçanërisht të atyre që i cekëm më lart.

Ndër kontribuuesit në mbarëvajtjen e tolerancës ndërfetare në Prizren, hasim edhe priftin katolik Imzot Lazër Mjedën, i cili nga viti 1909 ishte emëruar nga Vatikani në detyrën e arqipeshkvit të Shkupit me seli në Prizren[10], kontributi i tij është mjaft domethënës sidomos gjatë viteve 1912-1913, kur ushtritë serbo-malazeze ushtronin dhunë mbi popullatën myslimane dhe katolike, duke u bërë presion për konvertim me dhunë në fenë ortodokse. Lazër Mjeda ishte shumë aktiv në dërgimin e raporteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze dhe duke alarmuar opinionin ndërkombëtar për masakrat që po shkaktonin ushtritë e aleancës ballkanike,[11] raportet e të cilit, padyshim, që kur flitet për masakrat e lartcekura janë pikë reference jo vetëm për studiuesit vendore[12], por edhe për ata ndërkombëtarë.[13] Raportet e dërguara nuk janë selektive në aspektin fetar, por e tregonin përgjithësisht gjendjen e popullatës shqiptare,[14] qoftë të besimit katolik apo edhe mysliman.

Ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën në Vilajetin e Kosovës janë edhe kryengritjet e viti 1908-1912, të udhëhequra nga Idriz Seferi e Isa Boletini.

Figura e Mulla Sinan Maxhres[15] dhe dom Mikel Tarabulusit[16] 

Pas mospërmbushjes së premtimeve nga xhonturqit dhe padrejtësive sistematike sidomos në aspektin e mbledhjes së taksave, popullata shqiptare e Vilajetit të Kosovës kishte filluar përgatitjet e një kryengritjeje në vitin 1908, duke u ndeshur në grykën e Kaçanikut.

Pa hyrë në analizën e zhvillimit të luftimeve dua të ndalem te njëra nga figurat kyçe të kësaj kohe Mulla Sinan Maxhra[17], të cilit Idriz Seferi ia besoi postin e sekretarit personal të tij.[18]Fatkeqësisht kjo figurë, Mulla Sinan Maxhra, shumë pak i përmendur nga studiuesit tanë, njeri i cili nuk kishte pranuar t’i ndahej në momentet vendimtare as në frontin e luftës Idriz Seferit, dhe pas shuarjes së kryengritjes, e njohur si kryengritja e Idriz Seferit, nga ana e xhonturqve kapet dhe varet për së gjalli, domethënëse e rastit të përmendur është se Idriz Seferi, duke pasur parasysh se vendi ku u zhvilluan kryengritjet kishte popullatë të përzier myslimane dhe katolike, u tregua largpamës duke angazhuar edhe prijës fetarë të kësaj ane për mobilizimin e masave.

Përderisa nga myslimanët zgjodhi prijësit e njohur Mulla Sinan Maxhrën dhe Mulla Halimin[19], “Kleriku përparimtar e patriot Halim Ahmeti, njëri nga propagandistët e njohur të Lëvizjes Kombëtare në Moravë dhe njëri nga bashkëluftëtarët e Idriz Seferit në betejat e Kaçanikut e Karadakut, ku edhe qe plagosur, iu shtrua burgimit dhe torturave në Prishtinë[20], nga popullata katolike kishte zgjedhur priftin Dom Mikel Tarabulisin, i cili përveç punës edukative dhe arsimore në Gjuhën Shqipe, do të bashkëpunojë ngushtë me Idriz Seferin dhe prijësit e tjerë fetarë myslimanë për mbarëvajtjen e tolerancës ndërfetare, që pa dyshim pati efektet e veta edhe në organizimet e kryengritjes kundër xhonturqve.

 Një guxim tjetër kemi edhe nga një prift i kësaj ane që quhet Dom Tadej Ivanaj[21], prift me origjinë kroate po që shërbente në fshatin Stubëll të Vitisë së Epërme, i cili në momentin e largimit të popullatës myslimane të Gjilanit me rrethinë nga zullumi xhonturk, thuhet se kishte hapur dyert për strehimin e popullatës myslimane, duke i mbajtur me ushqim e duke u dhënë ndihmë të nevojshme.

BURIMI:http://zaninalte.al/2016/02/toleranca-fetare-ne-vilajetin-e-kosoves-dhe-shpallja-e-pavaresise-se-shqiperise-1908-1912/

Përfundimi

Si përfundim mund të konstatohet se për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dukuria e tolerancës fetare luajti një rol unifikues kulturor dhe politik, duke u shndërruar në një potencial të fuqishëm për formimin dhe fuqizimin e identitetit kombëtar shqiptar në kohën e lëvizjeve që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Elementi shqiptar mysliman që përbënte shumicën, në Vilajetin e Kosovës në luftën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pavarësisht konflikteve sporadike të provokuara nga jashtë, ndërtoi një front të përbashkët me pjesëtarët e komunitetit shqiptar të besimit katolik. Ky tejkalim i dallimeve fetare ishte në funksion të realizimit të kauzës së përbashkët për çlirimin kombëtar nga sundimi pesë shekullor osman. Natyrisht, siç theksuam edhe më lart, në këtë kauzë dhe në këtë tolerancë fetare kontributi kryesor bie mbi prijësit politikë dhe fetarë, për të cilët përkatësia fetare ishte një çështje dytësore përballë përkatësisë etnike dhe idealit për bërjen e kombit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Meritë të veçantë në këtë aspekt kanë edhe prijësit fetarë shqiptarë, që ditën ta transmetonin fenë dhe parimet fetare tek të tjerët në mënyrën më të mirë dhe nuk lejuan keqinterpretimin e parimeve fetare.[22] Autoriteti dhe puna e prijësve fetarë, jo vetëm në Vilajetin Kosovës, por edhe në të gjithë hapësirën shqiptare, ishte vendimtare në fatet e kombit. Kjo u dëshmua edhe më 28 nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës, me pjesëmarrjen e krerëve fetarë si firmëtarë, por edhe duke iu besuar poste të rëndësishme në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit.

[1]. Gazmend Shpuza, Kongresi Mysliman Shqiptar (1923), në: “ Kultura Popullore”, nr. 1-2, ASHRSH-IKP, Tiranë, 1997, f. 192-193.

[2]. Stefanaq Pollo, Në gjurmë të historisë shqiptare 2, ASHSH- IH, Tiranë, 2003, f. 117.

[3]. Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Përpjekja (Përktheu nga origjinali: Artan Puto), Tiranë, 2009, f. 491.

[4]. Hysen Matoshi, Lotët për atdheun e robëruar, në: “Takvim”, nr. 42, BIK, Prishtinë, 2010.

[5]. Sylë Ukshini, Kuvendi i Ferizajt në burimet e proveniencës Austro- Hungareze, në: “ Vjetar”, nr. 41- 42, Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, f. 298.

[6]. Po aty, f. 299.

[7]. Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës ( 1878-1912), IAP, Prishtinë, 2011, f. 209.

[8]. Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlügü-Osmanlı Arşivi Daire Başkanlığı,(BBA), Kodu; Y. MTV; Dosya nr. 308.

[9]. Sylë Ukshini, Kuvendi i Ferizajt në burimet e proveniencës Austro- Hungareze.., pun. i cit., f. 293.

[10]. Imzot Mark Sopi, Imzot Lazër Mjeda( 1860- 1935) shembulli i bariut të mirë dhe atdhedashës, në: “ Imzot Lazër Mjeda- mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St.Gallen, 2011, f. 28; Albert Ramaj, Lazër Mjeda në Arqipeshkvinë Shkup-Prizren mes 1909-1921, në: “ Imzot Lazër Mjeda – mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St. Gallen, 2011, f. 47- 172.

[11]. Gjon Berisha, Të dhëna nga Imzot Lazër Mjeda mbi gjenocidin e ushtrive të Aleancës Ballkanike në Kosovë gjatë viteve 1912-1913, në: “ Imzot Lazër Mjeda- mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar”, Prishtinë- St. Gallen, 2011, f. 47-172.

[12]. Gjergj Gashi, Kosova altari i Arbërisë 1910- 1941, vëll. 2, Onufri, Tiranë, f. 79, 80.

[13]. Shih: Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha-Prishtinë & Shtëpia e Librit-Tiranë, f. 264, 265, 266.

[14]. Gjergj Gashi, Kosova altari i Arbërisë 1910- 1941, vëll. 2, Onufri, Tiranë, f. 39, 40; Genti Kruja, Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar, Prizmi, Tiranë, 2008, f. 144; Mark Krasniqi, Toleranca në traditën shqiptare, ASHAK, Prishtinë, 2007, f. 67.

[15]. Mulla Sinan Maxhera u lind në fshatin Maxhere të Karadakut të Preshevës në vitin 1863, nga e ëma Ajetja dhe babai Bilali. Rridhte nga një familje me tradita patriotike. Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit, ndërsa medresenë e mesme e mbaroi në Shkup, për ta vazhduar më vonë Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Si ushtar i Perandorisë Osmane mori pjesë në luftë kundër ushtrisë greke, ku edhe u plagos. Ka punuar si hoxhë në fshatin Caravajk, Pogragjë e Dobërçan, ku nxënësve pos lëndëve fetare u mbante edhe ligjërata me karakter kombëtar. Me autoritetin që gëzonte në popull, Mulla Sinani luajti një rol të rëndësishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe në zhdukjen e hakmarrjes. Mori pjesë në luftën e prillit të vitit 1910 përkrah Idriz Seferit. Për trimërinë e treguar në këtë kryengritje populli i thuri edhe këngë. Pas shuarjes së kryengritjes, pushteti xhonturk do të organizojë ekspedita ndëshkuese kundër kryengritësve shqiptarë, me ç’rast Mulla Sinani do të arrestohet dhe do të burgoset në Kaçanik. Gjykata ushtarake xhonturke do ta dënojë me vdekje së bashku me 6 vetë të tjerë. Mulla Sinani u var në Kaçanik më 7 korrik të vitit 1910 dhe u varros në varrezat e vjetra të këtij qyteti. Katër muaj pas vdekjes, gruas së tij do i lindë djalë, të cilin familja e pagëzon me emrin Sinan. Sipas studiuesit Shaban Braha, Mulla Sinan Maxhera është varur tek “ Ura e Vezirit” në rajonin e Kukësit, shih: Shaban Braha, Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981, f. 95.

[16]. Dom Mikel Tarbulusi, Prejardhjen e kishte nga Prizreni, për vite të tëra ai shërbeu në Stubell e epërme si famullitar, ku kaloi një pjesë të mirë të jetës. Mikeli erdhi si prift, por shërbeu më tepër apo kryesisht si mësues e patriot shqiptar. Herët mori lidhje me Lëvizjen Kombëtare dhe me kohë u bë mik i vërtetë i Idriz Seferit. Qysh në fillim të shek. XX Mikeli e filloi aktivitetin kombëtar. Në vitin 1905 e hapi shkollën e parë shqipe në Stubllën e Epërme të Vitisë. Kishte guximin të fliste për çështje kombëtare, kishte marrëdhënie të ngushta e miqësore me shumë shqiptarë myslimanë dhe shpesh herë bisedonte haptazi për çështje thjesht patriotike, ja seç thoshte ai:  Gjatë një viti kisha dëshiruar të jem, 6 muaj prift, 6 muaj hoxhë, e 12 muaj mësues”. Për shkak të qëndrimeve patriotike dhe kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga regjimet e ndryshme. Shkoi në këmbë për të marrë pjesë në solemnitetin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për shkak të torturave, arrestimeve e ndjekjeve të regjimeve të ndryshme, u sëmur dhe vdiq nga tuberkulozi në vitet ‘20 të shek. XX. Sadullah Brestovci, vep. e cit., f. 130-186-187.

[17]. Shih: Shaban Braha, Vep. e cit., f. 132.

[18]. Sadulla Brestovci, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kazan e Gjilanit – Islam Pira 1861- 1931, IAP, Prishtinë, 2008, f, 163, 164; Rexhep Selimi, Kontributi i Mulla Sinan Maxharës në lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në IH- Jeta dhe vepra e Idriz Seferit, Prishtinë, 2003, f. 113; Nuridin Ahmeti,Kontributi i klerikëve në kryengritjet e vitit 1910-1912 në Vilajetin e Kosovës, në: “Albanologji”, 1-2010, IAP, Prishtinë, 2011, f. 181-201.

[19]. Mulla Halimi u lind në fshatin Cërnicë. Babi i tij, Mulla Ahmeti dhe xhaxhai i tij Mulla Memishi, ishin njerëz përparimtarë të asaj ane. Ndonëse hoxhë dhe i biri i hoxhës, Mulla Halimi ishte njëri ndër luftëtarët më besnikë të Idriz Seferit, i cili dha prova si një kundërshtar i vendosur i pushtetit xhonturk, si në predikime, ashtu edhe në fushën e betejës. Ai, së bashku me disa të afërm të tij, do të marrë pjesë në kryengritjen e Kaçanikut të vitit 1910. Disa ditë pas betejës ishte zënë dhe ishte burgosur dhe si kundërshtar i zëshëm i pushtetit xhonturk ishte dënuar me tetë vjet burg. Në ato anë ishte i njohur si Mulla Halimi. Vdiq më 1942. Mulla Halimi, jo vetëm që ushqeu vetveten me ndjenja fetare e kombëtare, por këtë ndjenjë e përcolli edhe te pasardhësit e tij. Ata, duke i ruajtur me fanatizëm këshillat dhe urtësitë e Mulla Halimit, qëndruan një shekull nëpër burgjet e pushtuesve të Shqipërisë etnike, pa u pajtuar asnjëherë me robërinë. Sadulla Brestovci, vep. e cit., f. 164-165.

[20]. Shaban Braha, vep. e cit., f. 132.

[21]. Arkivi i Kosovës, ( AK), F. Sadulla Brestovci, K. 1, f. 10 (dorëshkrim).

[22]. Qemajl Morina, Identiteti fetar i shqiptarëve, në: “ Edukata Islame”, nr. 70, KBIK, Prishtinë, 2003, f. 6; Gazmend Shpuza, Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve, në: “ Nga Perandoria Osmane në Shqipëri”, Tiranë, 2005, f. 46; Qani Nesimi, Toleranca fetare te shqiptaret, në: “ Univers”, nr. 7, Tiranë, 2005, f. 100.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>