Margaret Thatcher, Kryeministrja që e ribëri Britaninë

Filed under: Figura Historike,Histori,Kryesore |

Margaret Thatcher, Kryeministrja që e ribëri Britaninë

Obituari

Nick Robinson, BBC

Margaret ThatcherMargaret Thatcher, e cila vdiq pas një ataku kardiak, ishte një nga figurat politike më me ndikim të shekullit të njëzetë. Trashëgimia e saj pati efekt të thellë mbi politikat e pasardhësve të saj, qofshin ata konservatorë apo laburistë, ndërsa përqasja e saj radikale dhe në disa raste konfliktuale, u bë tipar i qeverisjes së saj 11-vjeçare.

Gjatë qëndrimit të saj në detyrë, mijëra votues të zakonshëm morën një rol në shoqëri, duke blerë shtëpitë e tyre përmes privatizimit dhe duke shkëmbyer ethshëm aksionet e industrive të privatizuara si ajo e gazit apo telekomunikacionit.

Por kundërshtimi i saj ndaj politikës së konsensusit e bëri atë një figurë përçarëse dhe opozita ndaj politikave dhe stilit të saj të qeverisjes solli në fund një rebelim brenda partisë së saj dhe kryengritje në rrugë.

Ndikimi i të atit

Margaret Hilda Thatcher lindi më 13 tetor 1925 në Grantham, Linkolnshair si vajza e Alfred Roberts, një tregtar ushqimesh, dhe bashkëshortes së tij Beatrice.

I ati i saj, një metodist dhe këshilltar vendor, pati ndikim të madh mbi jetën dhe politikat e saj. Ajo studioi Shkenca Natyrore në Oksford dhe u bë presidentja e tretë femër e shoqatës konservatore të Universitetit të Oksfordit.

Ajo punoi për një kompani plastike dhe u angazhua në politikën vendore për Partinë Konservatore.

Thatcher u konsiderua si një kandidate potenciale për deputete në Kent, ku humbi në vitet 1950 dhe 1951. Gjithsesi ajo arriti sukses të madh në një zonë laburiste dhe tërhoqi shumë vëmendje mediatike si kandidatja më e re konservatore ndonjëherë.

Më 1951 u martua me një biznesmen të divorcuar dhe filloi të studiojë për avokate. U kualifikua si e tillë më 1953, viti kur lindën dy binjakët e saj, Mark dhe Carol.

Ajo hyri në Parlament më 1959-n. Brenda dy vitesh u emërua ministre e re dhe pas disfatës së konservatorëve më 1964-n, u promovua në rolin e qeverisë hije.

Derdhja e qumështit

Që në fillim ajo bëri fushatë për privatizimin e banesave kolektive dhe u bë kritike konstante e taksimit të lartë të ndjekur nga laburistët. Ajo u bë sekretare për arsimin më 1970-n, kur urdhëroi heqjen e qumështit falas që shpërndahej nëpër shkollat e Britanisë çdo mëngjes, një vendim shumë i debatueshëm, për të cilën tha se ishte edhe një leksion i madh, pasi zbatoi politikën më të urryer për përfitimin politik më të papërfillshëm.

Qeveria e Heath u mposht nga kriza e naftës më 1973 dhe u detyrua të imponojë një javë pune me tri ditë përballë grevës së minatorëve të qymyrit. Qeveria e tij u rrëzua më 1974-n.

Thatcher u bë sekretare e mjedisit në hije, por u zemërua nga braktisja e politikave ekonomike konservatore nga ana e Heath dhe hyri në garë kundër tij për udhëheqësinë e partisë më 1975-n.

Për surprizën e të gjithëve, ajo e mposhti Heath në votimin e parë, duke sjellë dorëheqjen e tij. Ajo u bë gruaja e parë në krye të një partie politike britanike.

“Zonja e Hekurt”

Thatcher filloi t’i lërë gjurmët e saj herët. Më 1976-n, pas një fjalimi që kritikonte politikat shtypëse në Bashkimin Sovjetik, një gazetë ruse i dha emrin “Zonja e Hekurt”, një titull që i pëlqeu edhe asaj vetë.

Duke e prezantuar veten si një politikane që ishte njëkohësisht zonjë shtëpie, që e dinte se çfarë ishte inflacioni për familjet e zakonshme, ajo sfidoi pushtetin e sindikatave, veprimet e vazhdueshme të së cilave sillnin vazhdimisht bllokim të industrisë.

Politika monetare

Si Kryeministre, ajo ishte e vendosur të riparonte financat e vendit, duke reduktuar rolin e shtetit dhe duke nxitur tregun e lirë. Ulja e inflacionit ishte synimi i parë i qeverisë së saj dhe ajo imponoi reforma radikale në ulje taksash dhe shpenzime buxhetore.

U miratuan ligje kundër sindikatave, u privatizua industria shtetërore, si dhe banesat komunale. Miliona njerëz, që më herët nuk kishin ndonjë pjesë të ekonomisë, e gjetën veten pronarë të shtëpive të veta apo të aksioneve nëpër biznese. Politikat e reja monetare e bënë Londrën qendrën më tërheqëse financiare në planet.

Manifaktura e vjetër, e cila sipas kritikëve po krijonte një gropë plehrash të stërmadhe, u eliminua në garën për një Britani të re konkurruese. Kjo solli rritjen e papunësisë në mbi 3 milionë njerëz.

Kryengritje pati mes deputetëve të stolave të pasmë (deputetë jo të kategorisë së parë) konservatorë, si dhe përplasje me popullin nëpër qytete, elemente që e detyruan Kryeministren të modifikonte politikat e saj.

Por ajo nuk hoqi dorë nga to. Më 1980-n tha para partisë: “Për ata që po presin për një kthesë, unë kam vetëm një gjë për të thënë. Ju po të doni, kthehuni… Zonja nuk kthehet.”

Lufta në Falkland

Vonë, më 1981, ajo ishte dukshëm me mungesë popullariteti. Vetëm një në katër anglezë miratonte punën e saj, por kriza ekonomike dukej se ishte kapërcyer. Më 1982, ekonomia pati filluar të ringrihej dhe bashkë me të, edhe pëlqimi i elektoratit.

Por popullariteti i saj u rrit shpejt në prill 1982, kur iu përgjigj me vendosmëri invazionit të ishujve Falkland nga Argjentina. Kryeministrja hyri menjëherë në luftë, dërgoi një flotë dhe ishujt u ripushtuan më 14 qershor, kur Argjentina u dorëzua. Fitorja e luftës, si dhe sherret e brendshme mes laburistëve, sollën fitore masive në zgjedhjet e vitit 1983.

Pranverën që vijoi, sindikatat e minierave bënë thirrje për grevë kombëtare, pavarësisht se një vendim i tillë nuk ishte marrë përmes votimit të anëtarëve. Thatcher ishte e vendosur të mos lëshonte pe. Ajo pati krijuar përgjatë viteve stoqe të konsiderueshme qymyri për centralet elektrike dhe mund t’i lejonte vetes një betejë të gjatë pa lëshuar pe.

Mandati i tretë

Greva dështoi, pavarësisht përplasjeve të shumta mes policisë dhe sindikalistëve. Shumë qyteza minerare nuk e morën veten kurrë dhe kjo gjë përshpejtoi edhe rënien e industrisë së qymyrit. Në Irlandën e Veriut, ajo u përball me vendosmëri me grevistët e urisë së IRA-s, gjë që zemëroi edhe më të moderuarit mes katolikëve. Kritikët thonë se qëndrimet e saj shtynë shumë të rinj irlandezë drejt dhunës.

Ajo shpëtoi për fat nga një atentat i IRA-s. Nga shpërthimi i bombës u vranë pesë njerëz dhe u plagosën rëndë shumë të tjerë, përfshirë edhe një ministër.

Ajo gjeti rastin për ta përmendur sulmin në një fjalim që dha disa orë më vonë. “Ky sulm dështoi. Të gjitha përpjekjet për të shkatërruar demokracinë përmes terrorizmit do të dështojnë.”

Politika e saj e jashtme synoi t’i jepte Britanisë një profil të klasit të parë në skenën botërore. Ajo gjeti një shpirt binjak te Presidenti Ronald Reagan, i cili kishte mendime ekonomike të ngjashme. Ajo arriti një marrëveshje të pazakontë me Mikail Gorbaçov, Presidentin reformator sovjetik.

Laburistët vijonin të ishin të përçarë kështu, që Thatcher fitoi në mënyrë të paprecedentë një mandat të tretë më 1987-n. Një nga aksionet e saj të para ishte imponimi i një takse të sheshtë, apo i një tarife të njëjtë për shërbimet publike, (rrugë, kanalizime etj). Kjo ishte një tarifë për banor dhe jo më një tarifë në përqindje me vlerën e shtëpisë.

Taksa shkaktoi dhunë në rrugë në nivel të jashtëzakonshëm. Deputetët konservatorë u alarmuan nga perspektiva e humbjes së zgjedhjeve dhe kjo gjë solli edhe rebelim brenda partisë së saj. Ajo fillimisht i mbijetoi sfidës brenda partisë, por jo për shumë kohë. Ishte çështja e Europës ajo që solli edhe rënien e saj. Pasi u kthye nga një samit në Romë, ajo pati grindje me homologët europianë, pasi kundërshtoi shtimin e fuqive të Komunitetit Europian.

“Presidenti i Komisionit, Monsier Delors, tha se dëshiron një Parlament Europian, një komision për qeveri dhe Këshillin e Ministrave për Senat. Jo, jo dhe jo!”, tha ajo.

Konservatorët konkurrentë të saj gjetën rastin për ta hequr qafe. Ajo nuk pati mbështetje dhe u detyrua të japë dorëheqjen, duke akuzuar kolegët e vet se kishin bërë “tradhti me buzëqeshje në fytyrë”.

John Major u bë pasardhësi i saj dhe Margaret Thatcher u kthye në periferinë e jetës parlamentare britanike për t’u tërhequr më 1992. Vitet e mëpasshme e përballën me skandale, ku më i famshmi ishte arrestimi i të birit për tregti ilegale armësh në Afrikë, si dhe përfitues të miliona eurove nga privatizimi i industrisë britanike të mbrojtjes, privatizim që u krye pikërisht nga Thatcher.

Ajo u tërhoq nga aktivitetet publike më 2001 për arsye shëndetësore.

Shumë pak politikanë kanë ushtruar një dominim të tillë të skenës politike gjatë mandatit të tyre në zyrë. Për kundërshtarët e saj, ajo ishte politikania që vendosi tregun e lirë mbi çdo gjë dhe detyroi britanikët të paguanin për politikat e saj në formën e papunësisë së lartë dhe kryengritjes shoqërore.

Për mbështetësit e saj, ajo ishte heroina që e ktheu Britaninë nga rruga drejt shtetit mbizotërues në ekonomi dhe rrjedhimisht bllokues, që i dha fund mungesës së nacionalitetit politik dhe ekonomik të sindikatave dhe që riktheu Britaninë në skenën botërore.

Ajo e përshkroi kështu filozofinë e saj: “Mendoj se kemi kaluar një periudhë kur shumë fëmijë dhe njerëz kanë fituar bindjen se nëse kanë një problem, është puna e qeverisë ta zgjidhë atë. Nëse janë të pastrehë, qeveria duhet t’i strehojë. Ata po i hedhin problemet e tyre mbi shoqërinë. Por çfarë është shoqëria? Nuk ekziston diçka e tillë! Ka individë, burra e gra dhe ka familje. Asnjë qeveri nuk mund të bëjë asgjë përveçse përmes njerëzve dhe vetë njerëzit duhet të kujdesen për veten. Është detyra jonë të kujdesemi për veten dhe pastaj të ndihmojmë edhe fqinjin tonë, sepse ky është një biznes i përbashkët. Njerëzit që kanë të drejta duhet të mendojnë edhe për detyrimet.”

 

Momentet kyçe

  • Margaret Roberts, lindur më 13 tetor 1925
  • Garoi si deputete më 1950
  • U martua me biznesmenin Denis Thatcher më 1951
  • U zgjodh deputete konservatore më 1959
  • U emërua sekretare e Arsimit nga Ted Heath më 1970
  • Mposhti Heath për udhëheqësinë e partisë më 1975
  • U bë Kryeministrja e parë femër më 1979
  • Dërgon ushtrinë për të rimarrë ishujt Falkland më 1982
  • Fiton thellë më 1983
  • Luftoi gjatë me sindikatat e minierave në vitet 1984-‘85
  • Mbijeton në atentatin e IRA-s më 1984
  • Fiton zgjedhjet për herë të tretë më 1987
  • Jep dorëheqjen më 1990
  • Largohet si deputete më 1992

Burimi:http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2013/04/09/margaret-thatcher-kryeministrja-qe-e-riberi-britanine/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>