Idetë pedagogjike në krijimtarinë letrare dhe veprimtarinë aplikative të Mehmet Akif Ersoj

Filed under: Figura Historike,Histori,Kryesore |

Idetë pedagogjike në krijimtarinë letrare dhe veprimtarinë aplikative të Mehmet Akif Ersoj

Prof. dr. Musa Kraja

anlasilamayan-bir-deger-mehmet-akifd962bd476a1ddad1a666

(MEHMET AKIF ERSOJ)

Në kohën kur jetoi e punoi Mehmet Akif Ersoj dhe më pas, mendimtarët e shquar të fushës së edukimit, idetë pedagogjike i kanë shfaqur në mënyra të ndryshme, por kryesore kanë qenë dhe janë veprat e mirëfillta shkencore, produkte të kërkimeve e metodologjive shkencore. Por, këto punime përfundonin në duart e një numri të kufizuar mësuesish, pedagogësh dhe të studentëve të degëve të mësuesisë e të ndonjë studiuesi.

Që këto ide pedagogjike të shkonin te masat, prej kohësh janë aplikuar vepra artistike, të shkruara thjeshtë, ku këto ide pasqyroheshin me gjuhën e popullit. Sigurisht ka edhe mënyra të tjera, përmes ligjërimeve të mbajtura në auditorë të ndryshëm. Zhan Zhak Ruso përdori veprën letrare tek “Emili-ose mbi edukatën”, Pestaloci, ndër 46 vepra të tija, i aplikoi të dy mënyrat, një pjesë me stilin e mirëfilltë shkencor, një pjesë me stilin e thjeshtë letrar, publicistik, etj. Sami Frashëri përdori mënyrën shkencore, kur botoi veprën e tij “Gratë”, si dhe kur paraqiti platformën e tij për arsimin në Shqipëri përmes veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, siç u mor edhe Naim Frashëri, duke i pasqyruar idetë e tija të edukimit përmes veprave letrare, por hartoi dhe botoi edhe 14 tekste shkollore në gjuhën shqipe. Kanë vazhduar edhe të tjerë të huaj apo nga tanët, bie fjala Maksim Gorki me “Universitetet e mia”, apo “Për bukën e gojës”. Shkrimtarja kiliane Alende, në një kapitull të romanit “Shtëpia e shpirtrave, ose shkrimtari Sterjo Spasse, me “Afërdita”, roman me karakter pedagogjik, apo edhe “Pishtarët”, etj., duke vazhduar me brezin e viteve ‘30.

Veprimtaria e Mehmet Akif Ersoj është e shtrirë në një mori fushash, saqë çdo studiues i Historisë së Arsimit e të Mendimit Pedagogjik kombëtar apo botëror e ka të vështirë, madje të pamundur, që të krahasojë një shëmbëlltyrë paralele të ngjashme, jo vetëm te ne, por edhe në rrafshin botëror. Është vërtet befasuese hapësira e gjerë e veprimtarive të këtij mësuesi të shkollave të mesme, më pas pedagogu i titulluar “Profesor”, që ligjëroi në disa universitete për Historinë, Gjuhën dhe Letërsinë Turko-Osmane e të huaj, këtij poeti e shkrimtari me vepra dinjitoze, përkthyesi, si zotërues i gjuhëve: turke, arabe, perse, franceze, gjuhëve të mëdha të kohës, por që e zotëronte mirë edhe gjuhën shqipe, të vendit të origjinës, të këtij sportisti në vrapime të shkurta e të gjata, këtij mundësi të pathyeshëm, hedhës i gjyles, notar që kaloi me not sipërfaqe të gjata në Bosfor, që njihte jo vetëm letërsinë, por edhe muzikën e Lindjes e të Perëndimit, të cilat edhe i këndonte, duke filluar nga ilahitë e pastaj nga gjinitë e tjera lirike dhe epike, drejtues fetar. Ky ishte profesori që luftoi në betejën e Çanakalasë, që luftoi për mbrojtjen e Atdheut, ky ishte nëpunësi dhe deputeti, prindi dhe familjari i mirë, edukator i madh popullor.

Një model i tillë shembullor multidimensional kaq i veçantë, ishte i admiruar nga masa e nxënësve dhe e studentëve. Pra, ishte model dhe aplikues i veprave të botuara në poezi dhe në prozë, në rreshtat e të cilave qëndronin idetë e mëdha të edukimit për familjen, për dashurinë ndaj dijes, njohurive, për shkollën e Atdheun, pa harruar asnjëherë vëmendjen e madhe për punën, si burim jetese, mirëqenieje, dinjiteti e begatie.

Thuhet me të drejtë se ndikimi i Saadiut është i pranishëm te poetët turq të periudhës klasike dhe në atë të periudhës së letërsisë së re, duke vënë theksin tek Akifi, shqiptar nga Peja. Sigurisht, gjejmë ngjashmëri: që të dy ishin rritur jetimë dhe në varfëri. Që të dy, Saadiu dhe Mehmet Akifi, kishin në qendër të veprimtarisë së tyre, edhe pse në periudhë kohe me diferencë disa shekuj, idenë e lartë humane: dashurinë për njeriun, çka përbën idetë qendrore të veprës së tyre.

Mehmet Akif Ersoj njohu mirë Lindjen dhe Perëndimin. Kishte studiuar në Francë edhe Dekartin, Dideron, Volterin, siç njihte edhe autorët e mëdhenj: Shekspirin, Viktor Hygon, Emil Zolan, Zhan Zhak Rusoin.

Ashtu si Saadiu, edhe Mehmeti pati dhe krijime me karakter didaktik për masën e gjerë. Duke shkruar poezi, himne, kishte punuar edhe më herët, për himnin shqiptar, por me poezinë “Marshi i Pavarësisë”, që e shkroi pas nëntë vitesh, u bë dhe mbeti tekstshkruesi i Marshit të Pavarësisë, Himni Kombëtar Turk, duke u përzgjedhur e miratuar nga Parlamenti Turk. Këtë poezi nuk e përfshiu në përmbledhjen e tij poetike me idenë se teksti i Himnit Kombëtar shkoi te zemrat e të gjithëqytetarëve turq kudo ku jetonin e punonin.

E gjithë krijimtaria e Mehmet Akif Ersoj ka karakter të theksuar edukativ, çka e afirmoi atë si edukator i madh popullor. Ai u bë edukator profesionist si mësues në gjimnaze dhe si profesor përveç lëndëve që zhvilloi, edhe i përmbajtjes së veprave artistike që shkroi e botoi.

Didaktika u bë objekt në veprimtarinë krijuese dhe në zbatim të parimeve themelore të saj në procesin mësimor. Prandaj Mehmet Akifi në botimin e tij “Librat”, thekson rëndësinë e veçantë të të lexuarit. Shoqëria gjithnjë është e interesuar që leximi të fillojë sa më shpejt, sepse njerëzit sa më shumë rriten e kanë shumë të nevojshme që të lexojnë. Vetë leximi ndikon ndjeshëm në zhvillimin mendor të nxënësve dhe të rriturve. Të lexuarit tregon shkallën e nivelit kulturor, gjuhësor, letrar, formues për atë që lexon, për vetë individin, sa e kupton atë që lexon dhe sa e përvetëson atë. Ndryshe niveli formues e kulturor është jo në nivelin e duhur. Sa keq duken ata që belbëzojnë, nuk përdorin theksin e duhur, theksin logjik apo emocional, kur stonojnë, çka tregon se nuk kanë brumin e tyre, nuk e përcjellin drejt emocionalisht përmbajtjen. Prandaj shkruan:

“Librat janë shkruar për t’i lexuar dhe kur të lexohen, duhen kuptuar.”

“Duhet të mësohemi që të lexojmë,

Duke lexuar, mund të mësojmë.”

Më tej Mehmet Akifi porosit që të njihet autori i pjesës, idetë e tija, koha kur është shkruar, pra baza historike.

“Kur të marrësh librin për të lexuar

Mësoje atë libër kush e ka shkruar.”

Më tej autori porosit se kur personazhi apo personaliteti që trajtohet është simbol, atëherë “mos kërko tjetër, domethënë, studioje”. Gjithashtu orienton lexuesin që gjatë leximit “…mos e ndërprit hetimin”. Me të folurit e sotëm, zbato mendimin kritik për atë që lexon.

Mehmet Akifi ishte besimtar i devotshëm dhe porosit që orientues duhet të jetë Kur’ani dhe mësimet kuranore duhen trajtuar me gjuhën e kohës apo me rrethanat në të cilat ndodhet vendi apo individi. Ai ishte dhe mbetet edhe për të mësuarit një model në zhvillimin e mendimit të kohëve moderne.

Veprimtaria aplikative e profesorit Mehmet Akif Ersoj e karakterizuar, siç e theksuam më sipër, u nis nga njohja e thelluar e parimeve themelore didaktike, duke ruajtur vërtetësinë në përmbajtjen e lëndëve që zhvillonte, në optikën shkencore të Historisë, Gjuhës dhe Letërsisë, me një logjikë dhe argument bindës për nxënësit e studentët. Edhe në veprimtaritë jashtë auditorëve universitare, në ligjëratat që mbante edhe në tri xhamitë e mëdha të Stambollit, kishte fort parasysh veçoritë e dëgjuesve, zbatimin e një stili të bisedës në nivel të thjeshtë e popullor, me argumente, duke e bërë bisedën apo ligjërimin interesante, çka përbën edhe sot e kësaj dite një parim didaktik shumë të domosdoshëm, në përshtatje të kohës, të situatave që kalon vendi apo zona konkrete.

Synimet edukative të Mehmet Akifit në drejtim të moralit, të familjes, sidomos për virtytin etj., të kujtojnë një nga fushat kryesore që synonte edhe pedagogu gjerman i nivelit botëror, Herbart, pikëpamjet pedagogjike të të cilit, edhe pse janë mbi dy shekuj përpara, depërtuan më vonë te ne, në Shqipëri, në vitet 1920-1937, kur u bënë dominuese edhe në arsimin tonë, sepse i sollën studentët tanë të atëhershëm në Austri. Sipas materialeve pedagogjike që më ka pas dërguar nga Turqia miku im, i ndjeri Profesor Nexhip Alpan, kjo shërbeu si kolonë e fuqishme e punës për forcimin e karakterit edukativ të shkollës.

Duke ngulmuar për edukimin atdhetar të breznive të reja, e shtronte çështjen më gjerë, te morali, ruajtja e tij e shëndoshë dhe përmes tij, si pjesë shumë e rëndësishme, të nisej nga themeli, familja. Funksionimi i mirë dhe i shëndoshë i kësaj qelize bazë të shoqërisë, do të na çojë patjetër tek atdhedashuria në vështrim më të gjerë e konkret. Ai e donte dhe ka luftuar për Atdheun e vet Turqinë, si edhe e ndjente dhe përpiqej në të gjitha mënyrat ta ushqente këtë edhe për Shqipërinë, dhe të qenurit shqiptar e theksonte pa mëdyshje, me gojë e me shkrim, madje edhe në poemat e tij. Kuptohet si ndjeheshin nxënësit, studentët e tij, prindërit e tyre shqiptarë ose me origjinë të tillë, kur e deklaronte veten shqiptar. Në poemën “Jam shqiptar” përmendte Prizrenin, Pejën, Gjakovën. Në poezinë e tij “A e njef Kosovën?” shkruan:

“Po si mund ta njifje?

Po, edhe po pse s’e njef, ke të drejtë

“S’ka lanë gur mbi gur egërsira e tërbuar

Mijra jetë priten, sikur të priteshin drujtë në pyll

Ç’hije e zezë ka rënë mbi atë Kosovë të blertë.”

Në vitin 1913, në kohën kur shpallet vendimi makabër për copëtimin e trojeve shqiptare, Mehmet Akif Ersoj shkruan poemën “Unë jam Shqiptar”, duke iu drejtuar babait të tij të vdekur: “Baba, ngrihu! Të gjallët nuk u erdhën në ndihmë, të paktën ti eja!.. Shqipëria po digjet kësaj here…

Më tutje u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen, t’i dalin zot Atdheut”.

Një nga idetë e mëdha që trajton Mehmet Akif Ersoj është familja, por ne po e trajtojmë si shkencë, siç është “Pedagogjia familjare”. Themelet e kësaj disipline shkencore i hodhi Komenski, me veprën e tij “Shkolla Amnore” ose “Shkolla e nënës”, etj. Pas tij, shkroi Pestaloci veprën “Nëna dhe Fëmija”. Edhe Mehmet Akif Ersoj e trajtoi krejtësisht me realizëm, në mënyrë origjinale këtë temë: “Nënave të mia fisnike”, të cilave u drejtohet:

“Ju jeni nëna të të gjithë dijetarëve gjeni

Pa pare e interese me shpatë po shërbeni

Me mëshirën tuaj, s’mund të bëhet rivale.”

Në këtë aspekt, Mehmet Akifi përmes veprave letrare trajton ruajtjen e familjes, rolin shumë të rëndësishëm të nënës në këtë fushë, si dhe të babait, si dy shtylla të forta që e mbajnë e zhvillojnë dhe e forcojnë familjen e rolin e saj për edukimin moral të pjesëtarëve. Trajtimin e kësaj teme nuk e trajton në mënyrë të njëanshme, por nisur nga jeta reale, e analizon në dy pamje: rolin e jashtëzakonshëm të nënës në familje dhe në funksionimin moral të saj, por ndalet edhe në anët negative, duke demaskuar babain që nuk është në rolin e vet, një pijanec i degraduar, që kërkon të jetojë në kurriz të një gruaje, të cilën e ka shfrytëzuar dhe e ka bërë të katandiset në një shkallë të tillë. Në poemën “Mejhaneja” paraqet skena kur gjithçka është kalbur; burri pijanec, i degraduar, që nuk do t’ia dijë për grua e familje, por edhe vajza që është në këtë mikromjedis familjar, denigrohet nga opinioni se e bija e kujt është. Ky burrë i degraduar edhe gruan enkas e ka zgjedhur të tillë. Kështu, në mënyrë të qartë nxjerr rolin e familjes, të nënës e të babait, të pjesëtarëve të saj, që përbëjnë një mikromjedis në degradim dhe pasqyrimin me vërtetësi të pamjeve nga të cilat distancimet dhe ballafaqimet e krahut tjetër, të prindërve idealë, kur secili kryen funksionin e vet.

Mehmet Akifi shkroi për njeriun, sjelljen e tij, për paqen, për familjen dhe mbrojtjen e saj, për parandalimin e shkatërrimit të saj. Ai vetë ishte një model, familjar shembullor, familjes dhe gruas së tij i drejtohet edhe me një nga poezitë që shkroi enkas.

I ftuar nga Universiteti El-Ez’her në Kajro, Mehmet Akifi shkoi atje dhe punoi dhjetë vite (1926-1936), profesor në universitet, duke zhvilluar gjuhën dhe letërsinë turke dhe turke osmane. Nuk ishte rastësi që nuk e refuzoi ftesën, sepse në Kajro, veç të tjerash, kishte edhe shumë shqiptarë.

Pas ardhjes së Mehmet Ali Pashës në Egjipt, ishin afro 50000 shqiptarë vetëm në rrethinat e Kajros. Diaspora shqiptare në Egjipt ishte shumë e shumë herë më e madhe, por shkoi drejt asimilimit. Atje kishte edhe personalitete të letërsisë, të artit, lojtarë me emër me origjinë shqiptare. Atje u krijua “Bleta Shqiptare”, doli “Valet e Detit” të Spiro Dines e Filip Shirokës, etj., atje punuan figura të shquara të periudhës pas pavarësisë së Shqipërisë. Fakti që Mehmet Akifi e fliste mirë gjuhën shqipe, prania e tij i bënte të ndjeheshin mirë intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë që kishin emigruar atje, ose ishin me origjinë shqiptare.

Mjediset shqiptare në diasporën e Kajros kishin veprimtari, hapësira pune që vazhduan natyrshëm deri me ardhjen në pushtet të Naserit. Atëherë shqiptarët nuk u ndjenë si më parë dhe filluan të emigrojnë në ShBA, Kanada, Argjentinë, etj.

Veprimtaria akademike, përvoja e pasur dhe potencialet multidimensionale të Mehmet Akifit, e vazhduan emrin e madh shumëplanësh. Ai u shqua edhe si pedagog i aftë, që e bënte për vete auditorin e studentëve me vizionet e gjera që kishte, duke e pasuruar kurrikulën e lëndëve që zhvillonte me informacione të reja, me interpretime interesante dhe vizionare. Ishte fat për studentët që dëgjonin leksionet nga një profesor aq i gjerë e në shumë fusha shkencore, politike, artistike, sportive, fetare, saqë e bënë edhe Mehmet Akifin të ndjehesh mirë. Por, për arsye shëndetësore u largua për në Stamboll, pikërisht në vitin e dhjetë të punës në universitet, duke lënë një emër të madh edhe në fushën e arsimit, të kulturës e të shkencës jo vetëm turke, por edhe shqiptare e botërore.

 

Burimi: http://www.dritaislame.al/idete-pedagogjike-ne-krijimtarine-letrare-dhe-veprimtarine-aplikative-te-mehmet-akif-ersoj/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>