Fan Noli: Ahmet Zogu, luan nga zemra dhe hekur nga karakteri.

Filed under: Figura Historike,Histori,Kryesore |

Fan Noli: Ahmet Zogu, luan nga zemra dhe hekur nga karakteri

noli-e-zogu

 

Ahmet Zogu u aktivizua në veprimtaritë politike atdhetare qysh në moshë shumë të re, kur ishte student në Akademinë ushtarake të Gallatasarajit në Stamboll. Ai ishte anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në klubin Bashkimi të Stambollit, i cili ka qenë qendra kryesore e aktivitetit politik të atdhetarëve shqiptarë brenda Perandorisë Otomane dhe në kolonitë ku ata jetonin si emigrantë.

Pas masakrave të Shefqet Dërgut Pashës mbi shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 1910, Ahmet Zogu mbajti hapur një fjalim të ashpër proteste para shqiptarëve të Stambollit, për çka u kërcënua nga pushtetarët xhonturq dhe iu ndalua kthimi në Shqipëri.

Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi shkruan: “Ahmet Zogun e kam njohur në Stamboll qysh më 1910. Në atë kohë tepër i ri, Zogu ka qenë anëtar me rëndësi i Klubit të Aksarait”.

Angazhimi i tij në veprimtaritë politike atdhetare përkoi në kohë me zhvillimet dramatike në Ballkan, në dëm të kombit shqiptar.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1912, Zogu arriti të siguronte kthimin në atdhe me anë të miqve influentë.

Në këtë kohë, në Hotel Pera Palace, takohej shpesh me Ismail Qemalin dhe Xhaferr Bej Breshtanin, të cilët po përgatiteshin për një inkursion diplomatik në Rumani e Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, dhe po punonin për përgatitjen e Autonomisë e Pavarësisë së Shqipërisë me ndihmën e Austro-Hungarisë.

Këto takime midis Zogut dhe Ismail Qemalit, fillimisht morën shkas nga nevoja për formulimin dhe më pas dërgimin e një peticioni të atdhetarëve shqiptarë drejtuar autoriteteve xhonturke, ku kërkoheshin masat konkrete të Turqisë kundër planeve të fqinjëve ballkanikë për coptimin e trojeve shqiptare midis tyre.

Më 20 korrik 1912 Zogu u nis nga Stambolli për në Shqipëri. Kur arriti në Selanik, u dërgoi telegrame solidariteti krerëve të kryengritësve shqiptarë si Sefedin Agë Pustinës në Dibër, Dervish Himës në Manastir, Ibrahim Temos në Dibër, Bajram Currit dhe Isa Boletinit në Kosovë, Abdi Toptanit në Tiranë dhe Kapedan Markagjonit në Shkup.

Sapo mbërriti në Ohër, ku qëndroi tre ditë, bisedoi me Parinë e Ohrit, të cilën e bëri me dije për planet e atdhetarëve dhe Ismail Qemalit në Stamboll.

Më 28 Korrik 1912 mbërriti në Dibër të Madhe, ku u prit nga Paria e Dibrës, e Matit dhe e Mirditës. Që këtej kryengritësit me në krye Zogun i dërguan kërkesa ultimative Stambollit, në mbështetje të kryengritësve shqiptarë që ndodheshin në Shkup.

Ndërkaq xhonturqit e trembur filluan të bëjnë lëshime. Ahmet Miftar Pasha shpërndau parlamentin dhe formoi qeverinë e re turke, e cila u akordonte liri shqiptarëve dhe autonomi të kushtëzuar, sipas së cilës njihej dhe garantohej Autonomia e Shqipërisë me qeveri dhe zyrtarë shqiptarë në 4 vilajetet e saj: të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Të trembur nga këto zhvillime, shtetet ballkanike filluan një aksion të fortë diplomatik dhe u përgatitën për luftë kundër Turqisë dhe shqiptarëve. Ata arritën të bllokojnë edhe projektin e kryediplomatit Bertold të Austro-Hungarisë të 13 gushtit 1912, që parashikonte mbrojtjen ushtarake të Turqisë dhe shpëtimin e trojeve shqiptare nga copëtimi.

Në shtator 1912 shpërtheu kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Kral Nikolla i Malit të Zi përfitoi nga situata, teksa më 8 tetor 1912 i shpalli luftë Turqisë dhe sulmoi kufijtë shqiptarë. Ndërkaq, më 17 dhe 18 tetor 1912, edhe Bullgaria, Serbia dhe Greqia i shpallën luftë Turqisë.

Me të marrë këto lajme, Ahmet Zogu shpalli kushtrimin e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe në krye të 2 mijë matjanëve u nis për të shkuar në ndihmë të Shkodrës.

Më 1 nëntor 1912 hyri në Lezhë, ku kontaktoi me komandantin ushtarak të qytetit, kolonel Ali Fehmi Kosturin, i cili e njohu me situatën dramatike.

Zogu menjëherë hyri në luftime të përgjakshme me malazezët në Kakarriqin e pushtuar prej tyre, duke i thyer dhe duke u shkaktuar me qindra të vrarë, por duke humbur edhe vetë rreth 400 luftëtarë.

Ndërkohë merr lajmin se serbët po mësynin Matin dhe ndodheshin në portat e tij, në Qafë të Buallit dhe në Qafë Murrë, pasi kishin pushtuar Dibrën, shumica e luftëtarëve të të cilës ndodheshin në Shkodrën e rrethuar, për mbrojtjen e saj.

Zogu nis tërheqjen drejt Matit por i pritet rruga nga ushtria serbe që kishte zënë Kallmetin dhe po marshonte në drejtim të malit Velë, afër Lezhës.

Malazezët morën zemër dhe u rikthyen duke e rrethuar në bashkëpunim me serbët.

Pasi çau rrethimin, Zogu e la Lezhën nën mbrojtjen e trupave të kolonel Ali Fehmi Kosturit dhe me një marshim të shpejtë dhe në kushte të vështira arrin të kthehet në Mat.

Për këto beteja Terenc Toçi shkruante: “Në malet e Kakarriqit, në jug të Shkodrës, Zogu u ndesh me trupat malazeze, me ç’rast u ndez një luftim i gjatë dhe i përgjakshëm… Udhëheqësi i ri, gjithmonë në vijë të parë, ngjalli entuziazmin e besnikëve, duke dhënë njëherit prova të mëdha trimërie ndaj armiqve…”.

Sapo mbërriti në vendlindje dhe riorganizoi e pozicionoi forcat, Zogu mori një letër nga Ismail Qemali, me anë të korrierit Ibrahim Kaloçi nga Elbasani, ku i kërkohej nisja urgjente për në Vlorë, në kuvend, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.

Me të marrë ftesën, Zogu mblodhi parinë e Matit e të Dibrës, dhe pasi i njoftoi për Kuvendin e Vlorës dhe nisjen e tij të detyrueshme për atje, u la amanet mbrojtjen me çdo çmim të Matit.

Pasi mbaroi me shpejtësi të gjitha këto përgatitje, mori me vete Riza Beg Çelën dhe Kurt Agë Kadiun, dhe me 25 kalorës u nis për në Vlorë. Në Elbasan mori Hamdi Beg Ohrin dhe Dervish Beg Biçakun, me të cilët shpejtoi për në Kuvendin e Pavarësisë.

Në kuvendin e Vlorës, Zogu ishte edhe përfaqësues i Mirditës, i ngarkuar me këtë detyrë nga kapedan Marka Gjoni dhe 12 bajraktarët e Mirditës.

Në proces-verbalin e Kuvendit Kombëtar, të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, shkruhet se në Kuvendin e Vlorës, në emër të krahinës së Matit morën pjesë këta delegatë: … Mati: Ahmet bej Zogolli, Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu.

Pas përfundimit të Kuvendit, situata dramatike në Mat e detyroi të kthehej sërish me shpejtësi për ta mbrojtur krahinën nga sulmet serbe.

Më të mbërritur në Mat, Zogu mblodhi të gjithë krerët e Matit, Dibrës e Mirditës dhe pasi u komunikoi çfarë ishte vendosur në Kuvendin historik të Vlorës, u kërkoi që me çdo çmim e sakrificë të mbronin Matin e të çlironin Dibrën.

Në betejat e shqiptarëve të udhëhequra prej tij, serbët pësuan vetëm humbje të mëdha dhe kurrë nuk mundën të futen në Mat.

Konform pjesës së fshehtë (suplementare) të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë, nënshkruar më 29 shkurt të vitit 1912, Bullgaria i njohu Serbisë të drejtën e marrjes së territorit shqiptar, të mbajtur ende nën pushtimin otoman të deriatëhershëm. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që të sigurojnë daljen e Serbisë në det, trupat serbe, më 15 nëntor të vitit 1912 hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan gjithë Shqipërinë e Veriut, deri në Tiranë e Durrës.

Asokohe në gazetën “Times” të Londrës, më 25 nëntor 1912, u botua deklarata e Pashiqit sipas së cilës “Serbia kërkon Durrësin bashkë me hinterlandin përreth…”.

Pas fillimit të luftës serbo-turke më 16 tetor 1912, serbët brenda dy javësh e thyen Korparmatën turke të Perëndimit në Kosovë, duke triumfuar në Çernalovë, për të pushtuar më pas Prizrenin më 1 nëntor, Gjakovën më 7 nëntor dhe Manastirin më 19 nëntor.

Pas këtyre fitoreve serbët nisën marshimin drejt Lumës, Dibrës dhe Pogradecit, për t’u pykëzuar në Shqipërinë e Mesme.

Vllamasi shkruan: “Me shkatërrimin e ushtrisë turke më 1912, … shqiptarët, para fuqive të mëdha serbe tërhiqen në Mat, ku mbasi u organizuan, bashkë me matjanët e zunë pozicionin e tretë në Qafën e Murrës dhe në Qafën e Buallit. Këtu lufta vazhdoi për një kohë të gjatë dhe serbët nuk përparuan më. Kësaj Lufte iu dha emri ‘Lufta e Malësisë’.”.

Revista e përmuajshme “Përparimi” e atdhetarëve të Shkodrës, në maj të vitit 1915 shkruante për Zogun: “… Ahmet Zogu asht ndër kto vendet t’ona ma i përndrituni atdhetar, e të gjithë ia njohin veprat, mundin, dijeninë, e e thrrasin shqyptar përnjimend. Asht i ri për moshë. Për mend asht i dijshëm e i hollë, sidomos n’ato punë qi i përkasin t’mirës s’Atdheut t’onë. E përnjimend, ndër kto tri vjet turbullimesh e luftnash, kjarisht u diftue kundra anmiqve t’Shqypnisë, e nuk kje rrejt as me pare e as prej friget, për me i mbajt pah anmikut t’Shqypnisë…”.

Në një shkrim të tij, botuar në gazetën ”Dielli” të datës 16 shkurt 1916, kushtuar figurës së Ahmet Zogut, Fan Noli është frymëzuar nga një letër që ka marrë nga Nikollë bej Ivanaj.

Në këtë shkrim Noli, ndër të tjera, thekson tekstualisht: “Nga letra që botuam dje, mësuam që i dëgjuari atdhetar, zoti Nikoll bej Ivanaj ndodhet në ushtërinë shqipëtare të Ahmet bej Matit. Ahmet bej Mati, me të cilin bashkëpunon Nikollë bej Ivanaj, është djalë fare i ri, … por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri. Dhe e provoi me punë. Mati është i vetëm vend i Gegërisë që s’u shkel nga serbi, as në luftën ballkanike, as në luftën evropiane. Ahmet Zogolli, në krye të matjanëve të tij, e mprojti nga armiku i huaj dhe e mbajti lart flamurin e Skënderbeut. … nuk iu unj as serbit, as Esatit… E paçim sa malet.”.

Studimi më lart është përgatitur nga një ekip studiuesish nën kujdesin dhe drejtimin e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana, sipas kërkesës të Profesor Muhamet Shatri për botim në edicionin 13 të “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, Shoqata “Trojet e Arbrit”, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Lumbardhi”, Prizren, 2016 .

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>