Përballë rezistencës së parë komuniste.

Filed under: Analiza,Histori,Kryesore,Shqiptare |

Përballë rezistencës së parë komuniste

E kemi dërguar jo pak herë që malësorët janë trima e të besës ndoshta më shumë sesa ata  jugorët dhe kjo nuk është ndasi, po ndoshta është e vërtetë. Malësori është shumë i lidhur me tokën, me besën, me dashurinë për dheun e tij dhe të parëve të tij e para këtij fakti gjithçka është shumë e vogël. Perandoria Osmane duket që nuk ja doli që ta shtrinte plotësisht ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit, ndaj dhe ata ruajnë këtë këto ndjenja për vendin e tyre. E sigurisht të parët që do t’i quanin komunistët pushtues e jo rregullues shteti, kanë qenë ata, veriorët.

 

Tre beteja njihen si më të mëdhatë dhe më të përgjakshmet në historinë e komunizmit, beteja në Macukull, në Malësinë e Madhe dhe në Postribë, por ajo që do të mbetet unikale është beteja e Macukullës në korrik të 1944.

Kryesorja është që kjo ishte beteja e parë e vetëorganizuar nga macukullanët pa ndikimin e askujt dhe aty është shënuar pushka e parë antikomuniste nga një ushtri shumë mirë e organizuar, e cila si qëllim kryesor kishte ndalimin e ndikimit komunist në trevën e tyre.

Macukulli në tërësinë  tij arriti që ta organizojë vetë luftën kundër komunizmit, e iniciuar kjo sigurisht nga shtëpitë e para të vendit dhe vetë macukllanët e fshatrat për rreth. Duhet thënë që krahina kishte një numër shumë të madh njerëzisht të shkolluar jashtë vendit e që shumica prej tyre kanë qenë edhe oficerë me grada të larta në kohën e mbretit Zog dhe ata më mirë se kushdo e dinin se komunizmi ishte një sistem autokratik dhe macukullanët nuk duronin dot të kishin dikë mbi kokë, se zot ishin ata të vetes e tokave të tyre, ndaj edhe e konsideruan komunizmin si pushtues, ndoshta edhe më të keq se italianët apo gjermanët, pasi që iu duhej tanimë që të luftonin kundër gjakut të tyre, vëllaut të tyre, shqiptar me shqiptar.

Së dyti, dhe ky një fakt shumë i rëndësishëm, Macukulli kishte lidhje të drejtpërdrejta me perëndimin dhe diplomati ishte Bilal Kola që arriti të realizojë edhe paktin e ndihmës kundër komunizmit. Baza ushtarake që ata kishin ishte sigurisht e mirëfilltë pasi që e dinin shumë mirë se çfarë mund t’iu duhej dhe si ta përdornin atë, ishin pothuajse të gjithë të stërvitur për të tilla situata.

Takimi i parë është organizuar në fillim të verës  së vitit 1944, kur dhe nisën përgatitjet për të pritur komunizmin dhe që aty u konsiderua parë si pushtues i vendit dhe i trojeve, e që kurrsesi nuk donte emancipimin dhe hapjen e vendit me shtete të tjera.

Takimi u bë i hapur mes parisë së vendit, ku ishte përveç përfaqësuesve të fiseve nga Macukullit bënin pjesë edhe pjesëtarë nga fshatrat që e rrethonin Macukullin e që sigurisht mbledhjen e drejtonin trima në zë si: Bilal Kola, Xhemal Vata, Sali Vata, Taf Vata, Shahin Doci…etj.

Pas një diskutimi të gjatë të organizuar mes tyre, u vendos se komunizmi është pushtuesi i ri që kërkonte Macukullin të gjunjëzuar dhe u vendos që të armatoseshin dhe ata fise që nuk kishin armë, ose t’iu jepej mundësi që t’i blinin,  e ç’ është më e rëndësishmja, iu bë thirrje të gjithë oficerëve e xhandarëve që të bëheshin pjesë e betejës e kështu të  mund të ndërtonin në tërësi një strategji të plotë ushtarake.

Nga dëshmitë e bashkëkohësve, thuhet se Bilal Kola, një strateg luftarak me intuitë dhe inteligjencë të jashtëzakonshme që gjendet rrallë në kohë, propozoi të ishte komandant i kësaj lufte burri më trim i zonës, Xhemal Vata, i cili do të përfaqësonte grupin më të madh të luftëtarëve, ndërsa vetë Bilal Kola do të ishte me një ekip më të specializuar ku të patrullonte territorin, madje të kontrollonte pjesën verilindore të Macukullit.

Bilal Kola ishte njëri me influencë të jashtëzakonshme, diplomat, njeriu që ruante lidhje më krerët antikomunist në të gjithë vendin, madje marrëdhëniet e tij, i kalonin kufijt se ishte njeriu që kishte lidhje të drejtpërdrejta me misionin anglez dhe forcat antikomunsite në perëndim.

Strategjia: Sali Vata ish-zv/komondant i kufirit për Shkodrën në kohë të Mbretit Zog, premtoi një mortajë dhe bashkë me shënjuesin e parë, Llan Gjatën nga Shqefni do të drejtonin grupin që do të mbante mitrolozët në kodrën kryesore të Macukullit, ose më mirë e thënë do të mundoheshin të mbronin epiqendrën nga ku pritej që të vinte ushtria e drejtuar nga Shefqet Peci.

Xhemali Vata me më shumë se 180 burra, do mbulonte të gjithë paralelen e mundshme të Macukullit, ndërsa Bilal Kola do të merrej me pjesën tjetër të ushtarëve të specializuar të cilët do të patrullonin verilindore dhe kishte për detyrë që të mendonte skemën e mundshme për një krahëmarrje të çetës së Shefqet Pecit.

Vetëm tre ditë më vonë u informuan se Shefqet Peci i ishte afruar Macukullit dhe menjëherë në atë pjesë u vendos një  grup që përfaqësohej nga Ram Muça, Kros Vata, Must Vata, Murat Vata dhe fisi Dedë në fshatin ngjitur Dukagjinit dhe Pashajt në Gjocaj.

Çeta e Shefqet Pecit u nda në dy skuadra me një numër të madh ushtarësh, njëra vinte nga Dukagjini, që u prit nga mitralozi i Kros Vadodës dhe pjesa tjetër nga rrëpira e shpatit Nepë, që u prit nga shëllinjakët, si një grup ky  pararojë dhe më pas nga mortaja e Sali Vatës me shënjues Llan Gjatës.

Grupi pararojë i Bilal Kolës kishte marrë rrugën për në Vig (fshati lindor i Macukullit) nga ku u mësua se mund të ishte dhe i çarjes, por  Bilali si një strateg me përvojë, nuhat kurthin dhe përqëndron forcat e tij në mes të Mcukullit ku dhe bashkohen të gjitha forcët që bënë të mundur mundjen e Shefqet Peçit.

Beteja antikomoniste e Macukullit, ishte e llojit unikal pasi doli me pushkë dhe mortaj kundër komunizmit, pasojat e së cilës do të rëndonin pas instalimit të komunizmit.

Menjëherë sa komunistët morën në dorë pushtetin, grupi i Blial Kolës u zhduk pa nam e nishan dhe nuk ishin pak, po plotë trembëdhjetë burra.

Në Vadodajt u pushkatua pa mëshirën më të vogël, Xhemal Vata (në një ditë me Sali Llanin e Ismahil Hysën më 1947), ndërsa Sali Vata, njeri i mortajës (ish- shoqëruesi i Medi Bej Frashrit) u dënua 101 vite Burg, Taf Vata u dënua 25 vite burg, Shaqir Vata 25 vite burg, Haziz Vata i ri u bugos më vonë, Nezir Vata u burgos dhe u torturua për tetë muaj në burgun e Burrelit dhe të Dibrës, nga ku arriti të shikonte Xhemal Vatën kur ia vranë para syve.

Neziri para se të vdiste tregonte se “…me nxorrën nga rreshti i pushkatimit ku ishte Xhemali, Sali Hysa (vëllaj i ime shoqe) dhe Sali Llani miku i vëllajt tim, Mesim Vata. Me kapi për jake një nga pushkatarët dhe më tha “shikoje ore qen se si pushkatohen klyshët që i dolën kudër pushtetit, ata që janë kundër komunizmit. Hapi mirë syte se t’i e ke radhën..”.

Pushkatarë gjuajtën me breshëri, ra Saliu dhe Sala, ndërsa Xhemali ra në gjunjë dhe nuk u rrëzua. E qëlluan sërish dhe nuk ra. Pastaj njëri e shtyri me këmb”. E ndërsa i shkoni lotët kur tregonte në moshën 85-vjeçare, Neziri përshkruante Xhelmalin ku thoshte “ishte një burrë i gjatë rreth dy metra, shpatulla të gjëra, këmbë të mëdha që rrallë gjente opinga dhe kra si shtylla, fliste pak, por vendoste shpesh, trim që s’lind as për shekuj”.

Beteja e Macukullit ishte e mirë organizuar me ideator Bilal Kolën, Sali Vatën, Xhemal Vatën e të gjithë oficerët e xhandarët e asaj kohe, madje dhe milicët që shërbyen për një kohë në atë zonë.

Kishte plan vendosjeje, kontroll të kundërshtarëve, armatim të lehtë dhe të rëndë, pushkë, automatik, mitroloz madje dhe mortajë. Kishte një numër të madh, mbi 250 vetë të armatosur, dhe një fshat të tërë të gatshëm për betejë, strategji në shpërndarje me pararojë, zbulues, prita paraprake dhe përqendrim të forcave, deri në shpartallimin e ushtrisë së Shqefqet Peçit.

Macukulli antikomunist e fitojë betejën më armë kundër komunizmit, madje ishte beteja e parë në këto përmasa prandaj është e rrallë, por njohu edhe një persekutim të pa parë për 45 vite, të rralla ishin ato familje që mundeshin të çonin një fëmijët në shkollë të lartë, dita e punës ishte 10 lekë të vjetra, varfëri totale, pamundësi për të jetuar, një pjesë e macukllonëve punonin në minierë, ku shumë kanë humbur dhe jetën, ndërsa të tjerët kanë vdekur nga silikoza.

Të gjithë në Macukull ishin nën syrin e sigurimit, të ndrydhur dhe si fshat është parë nga diktatura si një kullë e ngujuar dhe hakmarrja komuniste nuk u ndal kurrë pa dallim moshe e gjinie. Në këto 25 vite është parë nga pushteti i neodiktaturës me një urrejtje të heshtur dhe gati përçmuese ky vend që përveç historisë, burrërisë dhe besës ndaj tokës ka pasur edhe zjarrin për të qenë udhërrëfyesi i parë i rezistencës antikomuniste.

Burimi: http://konica.al/2017/05/perballe-rezistences-se-pare-komuniste/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>