NJIHUNI ME “DANTEN E ARKITEKTURES”
Nga: Albert Vataj
Antoni Gaudi, katalanasi i famshëm i arkitekturës, linjave të buta, shkujdesjes, elegancës dhe magjepsjes
“Vetëm një i çmendur do të përpiqet për të përshkruar diçka që nuk ekziston në botë!”, në atë botë së cilës ai, Antonio Gaudi i dha një trajtëzim imagjinativ, më shumë se shastisës për sytë e adhurimit, joshës dhe ngasës për ëndjen e përshkimit të atyre linjave, të asaj madhështie kapluese dhe atij sharmi që mund të ngjizet prej një shpirti përfytyrimesh ëndërrtare dhe të jetësohet si një melodi e murosur në ajrin e ngrohtë të shpirtit spanjoll.
Vepra e Antonio Gaudit gjithnjë kërkon atë vullnet të epërm vlerash që rrok me adhurim në dimensionin e përjetimit pasionues të njeriut, tek ai komunikim prej të cilit mund të zgjojë intuitë dhe ndikim.
Gaudi arrin të sfidojë të gjithë tendencat dhe traditat e aplikuara, dhe arrin këtë përmes një veçantie që vjen për të kombinuar jo vetëm një shumëllojshmëri të stileve tradicionale dhe bashkëkohore arkitekturore, por edhe duke ruajtur origjinalitetin. Ai bëri një përparim të guximshëm në teknologjinë e aplikimit dhe trajtimit të atij dekori të mahnitshëm, unike dhe krijuese, të thellë dhe të pasur. Çdo pjesë nga materialet e ndërtimit, lloji i aplikuar, në derë, bri, dritare, mure, etj. është jo vetëm një vështirësi realizimi, por edhe një shkallë e lartë e aftësisë për ta trajtëzuar atë që vetëm në mendjen dhe projektet e Gaudit mund të kishin përthithur aq zhdërvjelltësi dhe çlirim prej të ngurtës, standardes dhe atij terrori imponues akademik.
Antonio Gaudi për shkallën e vështirësisë, për stilin arkitekturor është klasifikuar si “Dante i arkitekturës”. Vepra që la Gaudi mishërohet prej një stuhie të pangjashme shprehjesh estetike. Ai gjithashtu solli një revolucion transformimesh shndërruese në arkitekturë, duke e kthyer këtë disiplinë të komunikimit estetik në një shkrirje mahnitëse të pikturës, skulpturës, muzikës, poezisë me arkitekturës. Askush si ai nuk i dha ndërtimit një dëshmim kaq të fuqishëm, një zë kaq joshës, një kolorit kaq shpues, linja kaq delikate dhe trajta që do të rivalizonin edhe më magjepsësen muzikë.
Për Gaudin gjithçka është art dhe arti është gjithçka që perceptohet në veprën e vetë krijuesit, natyrës. Sipas arkitektit, “Art domosdoshmërisht vjen nga natyra, sepse natyra ka qenë për njerëzit për të krijuar formën më të veçantë të bukurisë.”
Ndërkohë përkufizimet e stilit ndihmojnë në klasifikimin dhe në katalogimin e prirjeve artistike të një periudhe të caktuar, në këtë mënyrë duke i investuar me kuptimin historik, është gjithashtu e vërtetë që disa artistë dhe arkitektë nuk e përfillin kategorizimin nën ndonjë drejtim.
I tillë është dhe rasti i Antonio Gaudit, vepra e të cilit është vërtetë unike në historinë e arkitekturës. Megjithëse projektet për këtë arkitekt nga Katalonja janë konsideruar shpesh brenda sferës së Artit Nouveau, zgjidhjet e tij stilistike gjithashtu përshpejtuar disa aspekte të caktuara të Ekspresionizmit – shumë të qarta në një krahasim të dritareve në Batllo House në Barcelonë me një nga skicat për Einstein Tower.