60 VJETORI I TEQESË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË AMERIKË (1954-2014)

Filed under: Bota,Histori,Kryesore,Rajoni |

 Mexhid YVEJSI

 

60 VJETORI I TEQESË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË AMERIKË (1954-2014)

 download (2)

 

     Më 15 Maj 2014 u mbushën 60 vjet nga dita e përurimit të Teqesë Bektashiane Shqiptare në Amerikë.  Me kalimin e kohës, Teqeja Bektashiane Shqiptare erdhi duke e zhvilluar veprimtarinë në fushën jo vetëm fetare, por edhe në atë atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative, kulturore. Merita të veçanta kanë shumë veprimtarë, por këtu po veçojmë prijësin kryesor,  Hirësinë e Tij, Baba Rexheb Beqiri, për të cilin në fund do paraqesim një jetëshkrim në shenjë nderimi e përkujtimi!

Feja Islame në Amerikë

Feja Islame në Amerikë ishte e pranishme madje edhe para se të themelohen Shtetet e Bashkuara. Historianët kanë shënuar se deri në 30% e robërve zezak nga Afrika të sjellur në Amerikë ishin myslimanë. Princi Abdul Rrahman nga Afrika Perendimore, i liruar nga Kryetari John Quincy Adams më 1828, pas 40 viteve në burg, ishte një nga mijëra afrikanët musliman.

Muslimanët në Amerikë

Muslimanët nga Andalusia vizituan kontinentin Amerikan para se evropianët ta “zbulojnë” atë që sot quhet Amerika Veriore, shumë vite para Kristofor Kolombos, siç ka shkruar Sharif el-Idrizi në shekullin XII-të. Muslimanët nga Afrika vazhduan ta praktikojnë fenë islame edhe në Amerikë, kjo binte në sy kur mblidheshin në vende të veçanta, private, ku kryejshin faljen e namazit. Ruhen ende dy dokumente të vitit 1731 për muslimanët afrikanë, ku përmenden me emra dy besimtarë të cilët ishin Ayuba Sulejman Diallo dhe Omar Ibn Said.
Omar Ibn Said (1770-1864) është një shembull, dëshmi, dëshmi e dokumentuar, i një besimtari të devotshëm, i cili erdhi në Amerikë në vitin 1807. Lindur në vitin 1770 në Futa Tooro, sot Senegali, jetoi në Karolinën Veriore, edhe pse ishte skllav, e praktikonte fenë islame me përpikni, me devotshmëri. Ka shkruar disa tekste fetare në gjuhën arabe të cilan janë: Lutje Zotit, Si të lutemi, Namazi, Bismilah, Fazat Kur’anore, ka shkruar edhe një autobiografi. Sipas një dokumenti kinez, i njohur si Sung Document i vitit 1178, shënohet se udhëtimi i detarëve muslimanë tek një vend i njohur si Mu-Lan-pi (Amerika). Abu Bekr, mbret mysliman i Perandorisë Maliane në vitin 1310 ka udhëhequr një seri udhëtimesh detare tek Bota e Re.

Xhamitë në Amerikë

Xhamitë në Amerikë nuk shërbejnë vetëm si objekte fetare adhurimi, por ato shërbejnë edhe si objekte shoqërore, kulturore…Sipas një studimi me titull The Mosques in America: A National Portrait,”( Xhamitë në Amerikë: Një Portret Kombëtar), Muslimanët në Shtetet e Bashkuara janë që disa brezni, shumica me prejardhje nga vendet arabe, që nga koha e Perandorisë Osmane, si Siria, Libani, Jordani. Shumica prej tyre janë arabë, turqë, kurdë, shqiptarë.
Sipas studimit të lartpërmendur, xhamia e parë është ndërtuar nga shqiptarët në vitin 1915, në Main. Në vitin 1919, shqiptarët muslimanë themeluan xhaminë e dytë në shtetin Connecticut. Pas shqiptarëve, në vitin 1926, në Brooklyn, N.Y., tatarët nga Polonia themeluan një xhami.
Muslimanët afro-amerikanë themeluan xhaminë e parë në Pittsburgh, PA, në vitin 1930. Komuniteti libanezë e hapi xhaminë e parë në vitin 1935 në Cedar Rapids, Iowa.
Muslimanët afro-amerikanë nën udhëheqjen e Shejh Daud Ahmed Fejsalit themeluan xhaminë në New York në vitin 1955. Sot në Amerikë janë mbi 3000 xhami, shumica prej tyre janë themelue pas vitit 1970.

Shqiptarët në Amerikë

Ishte viti 1876 kur shqiptari i parë shkeli në truallin amerikan. Sipas disa burimeve, ky shqiptar ishte nga Korça dhe më pas ndërroi drejtimin duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më pas në Argjentinë.
Ishte viti 1889 kur shqiptari i dytë, i cili vuri këmbë në tokën amerikane. Ky ishte Kolë (Nikolas) Kristofori, prej fshatit Katund të Korçës që arriti në Amerikë. Ky është emigranti i parë shqiptarë që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet. Në vitin 1900, kur ende s’kishte Shqipëri, numri i shqiptarëve, të cilët jetonin në Amerikë ishte 42, kryesisht në shtetin Massach. Prejardhja e tyre ishte kryesisht nga jugu i Shqipërisë dhe vinin nga zonat më të thella. Sipas studiuesit Haris Sillajxhiç, në fundin e Luftës së Parë Botërore (1918) numri i shqiptarëve ishte 50 mijë.

 

           Çfarë është sufizmi apo tesavufi?

 

   Sufizmi  apo Tesavufi në mënyrë të përgjithshme nga dijetaret kuptohet të jetë dimensioni i brendshëm i Islamit.

    Besimi i brendshëm apo ezoterizmi ka të bëjë me përjetimin e Islamit përbrenda. Egzistojnë shumë ajete të Ku’ran-it që urdhërojnë, këshillojnë, udhëzojnë të kuptuarit e Islamit përmes zemres apo siç shprehen dijetarët sufi, përmes syrit të zemrës.

   Sufizmi ka shumë rende, drejtime, rrugë apo siç njihet tek ne, tarikate. Tarikatet mund të jenë Sunni ose Shi’i. Disa nga tarikatet më të njohura janë: Uvejsi, Kadiri, Rifa’i, Sa’adi, Halveti, Shazili, Nakshibendi, Suhreverdi, Çishti, Tixhani, Mevlevi, Melami, Bektashi, Bedevi, etj.

    Grupe të vogla misionarësh sufinj ishin të stërvitur, të përgatitur, të ndritur, kishin një udhërrëfyes (murshid), kurse të tjerët ishin dervishë të bindur, të ushtruar dhe kishin një mision të caktuar: Me shembullin e tyre si misionar, me urtësi, devotshmëri, maturi, mbollën farën dhe nga ato farë doli, mbiu Islami ndër shqiptarë.

   Misionarët e parë ishin Sari Salltëk Babai, Sejjid Ali Babai, Qamil Babai, të gjithë ishin nxënës, dervishë të përgatitur nga Haxhi Bektash Veliu (1248-1341), por misionarët, që u përhapën në shumë anë, në veshje nuk dalloheshin prej klerikëve vendas kristianë, kështu ishin të mirëpritur prej popullsisë, në pamje si kristianë, por vepronin si muslimanë…!

     Pas depërtimit, shtrirjes së Perandorisë Osmane në pjesën evropiane, nga të gjithë popujt e Ballkanit pjesa dërmuese e popullit shqiptarë e pranuan Islamin, kurse popujt tjerë pjesërisht. Pranimi i Islamit nga shqiptarët, qe pa dyshim një bekim, një mëshirë nga Krijuesi ndaj këtij populli, sepse u ndërpre procesi i sllavizimit, greqizimit, latinizimit, me një fjalë erdhi dita e shpëtimit, sepse u këputë, u zhdukë procesi i asimilimit…

   Me këputjen, me zhdukjen e procesit të asimilimit, filloi ndër shqiptarë një ringjallje morale, shpirtërore, ekonomike, kulturore, demografike…

    Prej shekullit 15-të, diku edhe më herët, filluan të ngriten në qytetet kryesore të institucionet fetare islame si xhami, teqe, medrese, tyrbe, mejtepe, kurse nga shekulli 17-të, 18-të e 19-të, kur popullsia shqiptare me shumicë kishte pranue fenë Islame, pati një lulëzim kulturor në të gjitha në trojet shqiptare. Në këtë periudhë u zhvillua letërsia shqipe me alfabet arab, e njohur si “letërsia e bejtexhinjve”, që studiuesit e krahasojnë me letërsinë “alhamiado” që qe zhvilluar më parë në Spanjë.

   Nëpër mejtepet, teqetë, medresetë e kohës, nxënësit mësonin osmanishten, arabishten e persishten dhe ishin në gjëndje të lexonin e të kuptonin librat fetarë, historikë, letrarë, filozofikë, juridikë, të vendeve të ndryshme. Disa nga nxënësit, studentët, i vazhdonin pastaj studimet e larta në Stamboll, Bagdad, Kairo, Isfahan…Me diplomimin e tyre u formua një elitë intelektuale dhe një rreth shkrimtarësh, vjershëtarësh, të cilët me poezitë e tyre turqisht, persisht e arabisht përpiqeshin t’i ngjasonin poetëve të letërsisë osmane, perse, arabe…Por, meqë shumica e popullit shqiptarë që përqafojë Islamin nuk dinte gjuhë tjetër përveç

gjuhës shqipe, atëherë filluan të shkruajnë në gjuhën shqipe me alfabet arab.

 

           Sufizmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

    Është e rëndësishme për të kuptuar historinë dhe zhvillimin e sufizmit në Amerikë në mënyrë që të fitojë me të vërtetë një ndjenjë e rolit të kësaj tradite shpirtërore brenda peizazheve të ndryshme fetare që gjendet në Shtetet e Bashkuara sot.
Sufizmi ka kaluar nëpër shumë faza në zhvillimin e saj si një traditë e  përhershme shpirtërore brenda Shteteve të Bashkuara.

     Paraqitja më e hershme e sufizmit në Amerikë u zhvillua në fillim të viteve 1900 me anë të dijetarëve, shkrimtarëve dhe artistëve të cilët shpesh arrihen informacion mbi sufizmin përmes lëvizjes orientaliste.     Shembuj të figurave perëndimore të cilët ishin të ndikuar nga sufizmi përfshijnë Ralph Waldo Emerson, Rene Guenon, Reynold Nicholson, dhe Samuel Lewis.

     Këta individë ndihmuan për të futur konceptet e Sufizmit për audiencat më të mëdha nëpër shkrimet e tyre, diskutimet dhe metodat e tjera të ndikimit. Emerson, për shembull, është ndikuar nga poezia sufiste persiane, si ajo e poetit Sa’adi  dhe ky ndikim është pasqyruar  më pas në poezinë e Emersonit. Rene Guenon  dhe Nikolson iu ofrojnë lexuesve perëndimorë disa nga Sufinjtë e shquar për herë të parë në gjuhën angleze, sidomos kryeveprën Mathnawi  të Xhelaluddin Rumiut.
Grupe të ndryshme sufiste janë zhvilluar mes viteve 1950 – 1960 dhe 1970. Idries Shah (1924-1996) është një nga individët më të rëndësishëm që e popullarizojë Sufizmin në Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta  shkrimtari më i njohur Sufi në Perëndim.

     Sot, shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në sufizmëm. Shumica e bashkësive sufiste në Shtetet e Bashkuara janë degë të rendeve mistike që ekzistojnë në të gjithë botën dhe kanë burimin në shoqëritë tradicionale muslimane. Shembuj të rendeve sufiste që kanë krijuar komunitetet e tyre në Shtetet e Bashkuara janë Tarikati Xherrahi, Nakshbendi, Mevlevi, Tixhani, Kadiri, Nimetullahi, Çishti, Bektashi etj.

 

                Tarikati Bektashi


Tarikati Bektashi, sikur shumica e tarikateve të tjera në fenë Islame, e ka marrë emrin prej pasuesve, ndjekësve, nga themeluesi, Haxhi Bektash Veliu.

Kush ishte Haxhi Bektash Veliu?

Haxhi Bektash Veliu ishte i biri i Ibrahimit, të birit të Sejjid Musait, që ishte i biri i Sejjid Hasanit.
Sejjid Hasani ishte i biri i Sejjid Ibrahimit, kurse ky ishte i biri Sejjid Mehdiut, i cili ishte i biri i Sejjid Muhammedit, i biri i Sejjid Hasanit.
Sejjid Hasani ishte i biri i Ibrahim Mukerrem Muxhabit, që ishte djali i Imam Musa Qazimit, i cili rrjedh nga Familja e Bekuar e Muhammedit (a.s.)
Haxhi Bektash Veliu (1248-1341)ishte një burrë i edukuar, ishte i arsimuar, një personalitet i shquar, njeri i ditur, shpirtërisht shumë i ngritur, i udhëzuar, veprat e tij janë më e mira dëshmi…
Një natë, Haxhi Bektash Veliu e kishte parë në ëndërr Pejgamberin (a.s.), i cili i kishte thënë:

“O djalë! Mbaje të pastër rrobën tënde, që t’i përfitosh të mirat”.

Haxhi Bektashi tha se e pyeta Pejgamberin (a.s.):

“O Pejgamber i Zotit! Po , cila është rroba ime?”

Pejgamberi (a.s.) ishte përgjigjur:

“Zoti ty të ka mbuluar me pesë lloje rrobash, të cilat janë:
“Rrobet e Islamit, të Imanit, të Njëshmërisë, të Njohurisë dhe të Dashurisë. Këto janë rrobet që duhet t’i mbash pastër, nga ana e jashtme, dhe nga brenda.”
Kur e pyetën një ditë Haxhi Bektashin se kush janë besimtarët e vërtetë? Ai kishte thënë:
“Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët i zbatojnë detyrimet e Sheri’atit.”
Gjatë shekujve, besimtarët muslimanë të tarikatit bektashian vërtet ishin të mbuluar me këto pesë lloje të rrobave: Islamin dhe Imanin e mbanin pastër, Njëshmërinë (Teuhidin) e kishin në zemër, kishin Njohuri të lartë, kurse Dashurinë të zjarrtë…
Dashurinë e zjarrtë për sufizmin Haxhi Bektash Veliu e muarr nga sufiu i njohur, Lukman Perende, kurse frymëzimin shpirtërorë nga Hoxha Ahmed Jeseviu…
Haxhi Bektash Veliu ka udhëtuar shumë, ka takuar shumë dijetarë nëpër vende të ndryshme, ka krye edhe Haxhillëkun, në vendet e shenjta, Mekke e Medine, prandaj edhe sot e kësaj dite e gëzon titullin Haxhi…
Haxhi Bektash Veliu në moshën 34 vjeçare, në vitin 1282, në vendin e quajtur Sulxhe Kara Ujuk, në Anadoll, e themeloi Teqen, ku përgatiti besimtarë, misionarë, të cilët të frymëzuar nga ai filluen të përhapin Bektashizmin nëpër Turqi, Persi, nëpër vendet arabe dhe në Ballkan…
Në vitin 1341, pas një veprimtarie të gjatë e mjaftë të frytshme, Haxhi Bektash Veliu ndrroi jetë në moshën 93 vjeçare…
Përveç Udhës Bektashiane, Haxhi Bektash Veliu na ka lënë edhe disa vepra: librat që janë në qarkullim edhe sot e kësaj dite, si “Mekalat” dhe “Fevaid Fukara”, si edhe shumë poezi, që janë përplotë frymë shpirtërore, që kanë porosi dhe që këndohen me melodi…
Gjatë historisë shumë shekullore, Tarikati Bektashi ka arritur suksese të mëdha, por ka pësuar edhe humbje të rënda… Kjo është një histori në vete…

 

     Teqeja Bektashiane Shqiptare në Amerikë

 

 

   Gjatë viteve të errësirës komuniste në Shqipëri, për besimtarët bektashianë në Amerikë ka shërbyer si një dritë, një dritë e pashuar, Teqeja Bektashiane Shqiptare, e cila është përuruar më 15 maj 1954,  në  Taylor, në afërsi të qytetit të njohur industrial, Detroit, në shtetin Miçigan, të Shteteve të Bashkuara.

     Pas themelimit të xhamive, themelimi i Teqesë Bektashiane ishte një ëndërr e vjetër, kjo ëndërr, me ardhjen e Dervish Rexhebit, jo vetëm që u shpejtua, por edhe u realizua! Si ndodhi kjo?

    Në qytetin industrial, Detroit, kishte shumë shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria e Jugut, të cilët kishin biseduar për këtë çështje disa herë. Por, mbledhja vendimtare ishte ajo që u mbajtë më 24 Tetor 1953, në S.Andrews Hall, 431 E. Congress Street, në Detroit.

     Vlen të përmenden se grupi nismëtar përbëhej nga këta zotërinj: Gani Mosho, Jashar Petrusha, Beçe Banushi, Muhamed Zagari, Qemal Boshanji, Qani Prespa, Dule Këlcyra, Abaz Murtezai, Nevruz Selfo, Surja Gorica, Haki Kozeli, Resul Shkëmbi, Selman Zagari, Xhafer Demiri dhe Zenel Poloska.

    Në këtë mbledhje u vendos që të hapet fushata për mbledhjen e ndihmave për themelimin e Teqesë Bektashiane Shqiptare në Amerikë. Përveç fushatës që u hapë, në këtë mbledhje u zgjodhë Komisioni i Parë Administradiv i Teqesë me këtë përbërje:

    Gani Mosho, kryetar, Nevruz Selfo, arkëtar, Selman Zagari, sekretar, kurse, Jashar Petrusha, Qani Prespa, Dule Këlcyra, Abaz Murtezai dhe Resul Shkëmbi, kontrollorë.

    Qysh në ditën e parë, fushata fillojë mbarë, vetëm në Detroit u mblodhën 8.000 dollarë! Më vonë, fushata vazhdojë edhe në qytete tjera të Amerikës, si në Chicago, New York, Boston etj. dhe në Kanada.

   Komisioni së bashku me grupin nismëtar, pa humbur kohë, filluan të hulumtonin një vend të përshtatshëm për themelimin e teqesë. Vendi i përshtatshëm, me ndihmën e Zotit, u gjet shpejt, ky vend ishte qyteti i vogël Taylor, rreth 20 km. nga qendra e Detroitit, një zonë fushore, bujqësore.

    Ndërtesa e cila u shndërrua në Teqe ishte një fermë, e cila së bashku me banesën u ble për 25.000 dollarë, me disa përmirësime të nevojshme që u bën çmimi u rritë edhe për 5.000 dollarë dhe gjithçka ishte gati, përveç lejës nga Governatori i Shtetit Michigan. Për këtë formalitete, si edhe Statutin e Teqesë, ka punuar avokati i mirënjohur shqiptaro-amerikan, S. Theodor Kotelly, i cili i në këtë drejtim ka punuar me përkushtim.

   Governatori i Shtetit Michigan e dha lejen përkatëse, madje duke shprehur kënaqësinë që në shtetin e tij po themelohej një institucion i ri fetar. Kështu, pas tetë muajve, që nga mbledhja e parë, në Detroit, Teqeja e Parë Bektashiane Shqiptare i çeli dyert me 15 maj 1954.

    Në krye të Teqesë Bektashiane, si udhëheqës shpirtëror, u vu Dervish Rexhebi, i cili më vonë u gradue me titullin Baba.  Si u bë ky gradim? Ky gradim u bë sipas rregullave bektashiane, me vullnetin e shprehur me të shkrua nga anëtarët e Komisionit të Teqesë Bektashiane, si edhe një numër besimtarësh bektashianë në Amerikë e Kanada, si edhe me dekretin e shenjtë, të lëshuar nga Gjysh Siriu i Teqesë Bektashiane në Kajro të Egjiptit.

    Komisioni i Teqesë Bektashiane i shkroi Gjysh Siriut:

  ”Ne dashamirësit bektashinj, duke marrë parasysh të kaluarën e ndritur patriotike të Teqesë Bektashiane, e me qëllim që të kemi një simbol kujtimi për gjithë atë veprimtari, si edhe për nevojat tona fetare, vendosëm dhe blemë këtu në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një vend ku themeluam një Teqe, në krye të së cilës kemi vënë Dervish Rexhebin. Duke marrë parasysh cilësitë e Dervish Rexhebit, na duket se ky është i përshtatshëm për t’a kryesuar Teqenë t’onë me titullin Baba. Simbas rregullit tradicional, i drejtohemi asaj Gjyshate, duke iu lutur që, po t’a shohë të përshtatshëm, t’i lëshojë dekretin e shenjtë.”

    Gjysh Siriu, i cili ndrroi jetë në Kajro, më 4 Janar 1963, e lëshoi  dekretin dhe e dërgoi në Amerikë të përcjellur edhe e me një letër, ku, ndër të tjera, thoshte:

   ”Pikësëpari ju përgëzojë me gjithë zemër për iniciativën njerëzore dhe fetare që muartë duke ngrehur një Teqe në Amerikë, të parën Teqe Bektashiane në atë vend të lirë e të bekuar. Kjo vepër ju nderon, siç ju nderojnë edhe kaq e kaq vepra tjera të ndritura, të kryera nga ju, gjatë shumë vjetëve, në fushën kombëtare, kulturore dhe fetare…Brenda në këtë letër ju dërgoj dekretin e shenjtë për dorëzimin e Dervish Rexhebit si Baba titullar i Teqesë Bektashiane në qytetin Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

    Dervish Rexhebi ka të gjitha cilësitë e duhura për të zënë postin e Babajt në atë Teqe. Perendia dhe Haxhi Bektashi qofshin kurdoherë me ju.”  

    Nën udhëheqjen e Baba Rexhebit,  për një kohë të shkurtër, Teqeja Bektashiane Shqiptare fillojë të përparojë,  myhibët të shtohen, dervishët erdhën njëri pas tjetrit. Dervish Arshiu nga Vlora, ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1949, erdhi nga Teqeja e Turballisë në Greqi, pas tij erdhi Dervish Lutfiu nga Gjirokastra, por ishte larguar që në vitin 1929 dhe shërbente në Teqenë Bektashiane në Kajro. I treti erdhi Dervish Bajram Gurkuqi nga Gjakova, por që shërbente në Teqenë Bektashiane në Kajro. Më në fund erdhi Dervish Bektashi nga Turqia me prejardhje shqiptare. Me dervishët shqiptar, nën udhëheqjen e Baba Rexhebit, që erdhën nga tri kontinente, Evropa, Azia dhe Afrika, Teqeja Bektashiane në Detroit të Amerikës,  që në fillim dukej si një bahçe në lulëzim, por tani duket si një Shqipëri e vogël në mërgim!

     Teqeja është larg qytetit industrial Detroit, ku jetojnë e punojnë  qindra, mijëra shqiptar, por kjo nuk ishte rastësi, por ka një arsye, të cilën e ka shpjeguar Baba Rexhebi gjatë një interviste me korrespodentin e gazetës së përditshme The Detroit News më 30 prill 1955, në pragun e përvjetorit të parë të themelimit të Teqesë, ku, përveç tjerash, Baba Rexhebi ka thënë:

   ”Sipas besimit bektashian, ekzistojnë dy jetë: jeta e trupit dhe jeta e ndërgjegjës. E para përbën pjesën shtazore. E dyta përbën pjesën njerëzore. Lufta midis këtyre dy jetëve farkëton parimet morale të njeriut. Prandaj të gjitha teqetë tona janë larg qyteteve plot zhurmë. Janë në vende të izoluara ku ne mund të lutemi e të mendojmë në qetësi dhe t’a ndjejmë veten më afër Zotit.” 

 

    Teqeja Bektashiane Shqiptare e ngritur, e themeluar, e zgjeruar, e zhvilluar, e zbukuruar, mundi të funksionojë falë vullnetit, urtësisë të Baba Rexhebit.

   

            Si e njoha Baba Rexhebin?

     

 Baba Rexhebi (1901-1995)

         

    Për herë të parë emrin e zërin e Baba Rexhebit e kam dëgjuar përmes valëve të “Zërit të Amerikës” në vitin 1965, kur vdiq Fan S.Noli më 13 Mars 1965)

   Për herë të parë për Baba Rexhepin kam dëgjuar nga Baba Bajram Gurkuqi, në vitin 1968, kur ai e vizitoi Gjakovën.

    Për herë të parë me Baba Rexhebin jam takuar me 26 Dhjetor 1972, në Teqen Bektashiane, në Taylor, Michigan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

       Kush ishte Baba Rexheb Beqiri?

 

   Baba Rexhebi lindi  me 15 gusht 1901, në lagjën “Dunavat”, Gjirokastër. Ishte djal’i hoxhës. Hoxha, babai i tij, quhej Mulla Rifat Beqiri, kurse nëna e tij quhej Sabrije, motra e Baba Selim Elbasanit , e cila ishte mbesa e Baba Aliut…

   Mësimet fillestare i kreu në Gjirokastër tek Myderrizi i njohur Mulla Ragibi, ku prej tij, përveç tjerash mësoj, edhe gjuhët klasike islame: arabishten, persishten dhe turqishten…

Kurse më vonë kreu edhe Liceun e Gjirokastrës, ku mësoj, përveç tjerash, edhe dy gjuhë tjera, frengjishten dhe italishten.

   Djaloshit të ri, të gjitha këto njohuri, me gjithë se e ngriten, e edukuan, e formuan, por zjarrin e dashurisë nuk ja shuan…! Cila ishte kjo dashuri? E thoshtë vetë: Kjo dashuri ishte rruga mistike – që të bëhej sufi…!

   Që të bëhej sufi ai kishte pak përparësi, sepse djaloshi Rexheb ishte rritur në Teqen e Zallit, ndër bektashinj, pranë Baba Selimit dhe Babës Ali, prej të cilëve ishte frymëzue me Dritën e Islamit, përmes Dritës së Kur’anit…

   Në Teqen Bektashiane apo siç quhet ndryshe “Teqeja e Zallit” në Gjirokastër, pranë Baba Selim Elbasanit, dajës së tij, djaloshi i ri, Rexheb Beqiri, u dorëzue e Dervish në tarikatin Bektashi…

   Tani, Dervish, më vonë gradohet Baba, në vitin 1954, nga Baba Sirriu i Kajros, Egjipt, Baba Rexhebi, zyrtarisht dhe publikisht e fillon veprimtarinë e tij në tarikatin Bektashi…

   Ka marrë pjesë në hartimin  e Statutit Themeltar Bektashian…

   Ka marrë pjesë në organizimin e Kongreseve Bektashiane të mbajtura në vitin 1926, 1929, në Teqën e Turanit në Korçë…

 

   Baba Rexhebi: Kundërshtar i komunizmit 

           

     Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944-), Baba Rexhebi, meqë i kishte të zhvilluara ndjenjat fetare-atdhetare, nuk u pajtue me fashizmin-nacizmin, aq më shumë nuk u pajtue kurrë me komunizmin…Komunizmin jo vetëm që e kundërshtoj, por me pushkë në dorë e luftoi…

E kundërshtoi, e luftoi, siç thoshte:

   “Komunistët s’kishin Zot, Fe as Atdhe… Komunistët këte kurrë nuk ja harruan, në mungesë të tij, me vdekje e dënuan…

     Me 28-29 nëntor 1944, Baba Rexhebi me disa atdhetarë, si Mid’had Frashëri, Hasan Dosti etj., nga Shkodra kalojnë në Mal të Zi dhe prej Malit të Zi me barka nëpër Detin Adriatik dalin n’ Itali, ku qëndroi deri në vitin 1948.

     Në vitin 1948, Baba Rexhebi u shpërngul nga Italia në Egjipt, ku u vendos në Teqen Bektashiane, e cila njihet në histori me emrin Teqeja e “Kajgusëz Sulltanit”, i cili ka qenë një misionar i paparë…Në këtë teqe, ku shërbente Baba Siriu, Baba Rexhebi qëndroj katër vjet, deri në vitin 1952.

     Në vitin 1952, Baba Rexhebi nga Egjipti u shpërngul për në New York, SHBA, ku e kishte motrën, zonjën Zejnebe, por më vonë shkuan në Detroit, të shtetit Michigan, afër Kanadës.

     Në qytezën e quejtur Taylor, që shtrihet në një fushë shumë pjellore, Baba Rexhebi me ndihmën e shqiptarëve, pa dallim feje, krahine apo ideje, themeloj Teqenë e Parë Bektashiane – Shqiptare-Amerikane…

     Teqeja Bektashiane – Shqiptare-Amerikane u përurue me 15 Maj 1954, e cila me kalim kohe erdhi duke zmadhue, duke u zbukurue dhe veprimtaria e saj duke u shtue…Aty punonin me përkushtim, përveç Baba Rexhebit, edhe dervishët, si dervish Arshiu, dervish Bajrami…, i pari nga Jugu, Vlora, i dyti nga Veriu, Kosova, (nga Gjakova)…

     Baba Rexhebi, si udhëheqës i Teqesë Bektashiane, përveç veprimtarisë fetare-atdhetare, është marrë edhe me krijimtari, duke na dhuruar disa vepra me rëndësi…

     Nga kjo veprimtari vlen të përmendët revista “Zëri i Bektashizmës”, në gjuhën shqipe dhe angleze, ku dallohen shkrimet e Baba Rexhebit rreth Fesë Islame, filozofisë islame, tesavvufit-sufizmit dhe parimet e Bektashizmit…

     Në vitin 1964, me rastin e 10-të vjetorit të themelimit  të Teqesë Bektashiane, z. Xhevat Kallajxhi, i cili punonte si gazetar profesional në Washington, në “Zërin e Amerikës”, Teqeja Bektashiane e botoi librin e tij me titull:”Bektashizmi dhe Teqeja Bektashiane në Amerikë”, ku ndihmën kryesore të lëndës e kishte nga Baba Rexhebi…

    Baba Rexhebi, në vitin 1970, botoi librin me titullin: “Misticizma Islame dhe Bektashizma”. Ky libër monumental,  cili ka 389 faqe, është shtypur në New York nga Waldon Press.       

     Në vitin 1997, Teqja Bektashiane e Gjakovës, nën kujdesin e Baba Mumin Lamës, me miratimin e Kryegjyshatës në Tiranë, botoi librin:”Hadikaja ose Kopshti i të përsosurve”  të Fuzuliut, të përkthyer në gjuhën shqipe nga Baba Rexhebi.

     Përkthyes i këtij libri, i cila ka në përmbajten e tij 11 kapituj me gjithsejt 497 faqe, Baba Rexhebi, ka shkrue, në vend të parathënies, shkrimin me titull: Dy fjalë me lexuesit për Fuzuliun, ku ndër të tjera shkruan:

     “Baba Qazimi (Bakalli) i Kosovës, përkatësisht i Gjakovës, me ndërmjetësimin e Baba Bajramit ( Gurkuqi, edhe ky nga Gjakova, por që shërbente në Teqenë Bektashiane në Amerikë, ku edhe ndrroi jetë me 22 dhjetor 1973), më detyroi t’ia bëja një përkthim modest Hadikasë. Kështu ia fillova punës dhe e përktheva në vitin 1969….”

     Dikur, propaganda e komunistëve të Tiranës, në krye me Enver Hoxhën, Ramiz Aliun e sidomos Bedri Spahiun, përmes Radio Tiranës dhe “Zërit të Popullit”, e paraqitëshin Baba Rexhebin si kriminel, gjakpirës, tradhëtar…, por e vërteta ishte ndryshe. Baba Rexhebi ishte urtë, i butë, i kulturuar, fetar, atdhetar, ishte për Bashkimin Kombëtar…

     Baba Rexhebin e kam njohur për së afërmi, kemi biseduar, debatuar hapur, jo me orë, në ndonjë pasdite, por me javë, me muaj, ndër vite… Atëherë, si i ri, kam përfituar shumë prej tij…Si ishte ai?

     Ai ishte, sikur e kishte shprehi të fliste dhe shpesh e përsëriste,             

             ” Bukuria e njeriut është fjala e bukur e tij.
Lartësia e tij janë veprat e tija me drejtësi ”.

      Fjala e bukur e tij, që shprehej me urtësi, sjellja e tij fisnike, dituria  enciklopedike, frymëzuese, udhëzuese, ka lënë mbresa në ndërgjegjen time, e besa të secilit që ka patur rastin të bisedojë  me te. 

       E kanë çmuar, vlerësuar edhe personalitete fetare-atdhetare si Fan. S. Noli, Imam Vehbi Ismail, Salih Efendi Myftija, Imam Isa Hoxha, Abaz Kupi, Mid’had Frashëri, Anthoni Athanasi, dr.Rexhep Krasniqi, ing.Xhafer I.Deva, dr.Mentor Çoku, Imam Beqir Maloki, Hafiz Tahir Kolgjini, Xhevat Kallajxhi si edhe personalitete të ndryshme amerikane, , afrikane, aziatike, evropiane, prej tyre vlen të përmendet studiuesja, shkrimtarja, profesoresha Frances Trix, e cila ishte dishepullja e Baba Rexhebit…!

   Fjala e bukur e tij, lartësia e veprave të tij me drejtësi, si në Shqipni, në Itali, në Egjipt, Afrikë dhe në Amerikë, më së miri dëshmojnë se Baba Rexhebi është një personalitet që vlen ta përkujtojmë…

   Në muajin gusht, 1901, kishte lindur, në muajin gusht, 1995, në ditën e dhjetë, ndrroi jetë – kaloi në jetën e vërtetë, por nuk e pa Shqipërinë e  dashur, por të shkretë…!

    Me rastin e 60 vjetorit të Teqesë Bektashiane (1954-2014), ne që jemi ende, hala, n’këtë dynja, le të lutemi për shpirtin e tij të ndritur me një el-Fatiha! Amin!

 

Burimet kryesore:

 

1.Gabbay, T. (1988). A discussion and a description of a sample of American Sufi practitioners. Dissertation Abstracts International, 49 (09), 3987. (UMI No. 8817270).

2. Godlas, A. (2003). Sufism, the west and modernity. Retrieved September 20, 2004, from http://www.uga.edu/islam/sufismwest.html

3. Guenon, R. (1962). The crisis of the modern world. (A. Osborne & M. Pallis, and R. Nicholson, Trans.). London: Luzac.

4.Guenon, R. (2001). Insights into Islamic Esoterism and Taoism (H.D.

5.Webb, G. (1995). Sufism in America. In T. Miller, (Ed.), America’s Alternative Religions (pp. 249-258). Albany: State University of New York Press.

6. Williams, L.F. (1974). Sufi studies: East and west. New York: E. P. Dutton & Co., Inc.

7. Curtis IV, Edward E. Muslims in America: A Short History (2009)
8.Curtis IV, Edward E. Encyclopedia of Muslim-American History (2010)
9. Ghanea Bassiri, Kambiz. A History of Islam in America: From the New World to the New World Order (Cambridge University Press; 2010) chronicles the Muslim presence in America across five centuries.
10..Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, 1995
11.Fischer, Bernd J. “Albanian refugees seeking political asylum in the United States: process and problems” in Journal of Ethnic and Migration Studies 31.1 (2005)

12. Smith, Jane I; Islam in America (2nd ed. 2009)

13. Xhevat Kallajxh, Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë, me parathënie të Baba Rexhebit. 1964

14. Baba Rexhebi, “Misticizma Islame dhe Bektashizma”, Waldon Press, New York, 1970, 389 faqe.     

 15. Syrja Xhelaj, Baba Rexhebi qiell urtësie, Shtypëshkronja “Urtësia Bektashiane”, Tiranë, korrik, 2013, 271faqe.

16. Vehbi Bajrami, Shqiptarët e Amerikës, Botuar nga Albanian Publishing, New York 2003, 1007 faqe.


Mexhid Yvejsi

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>